Themeluesi i kompanive Emaar dhe Eagle Hills, Mohamed Alabbar, ka bërë një autokritikë të pazakontë për disa prej investimeve të tij në Ballkan, duke pranuar publikisht se ka gabuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Mal të Zi. Deklaratat u bënë gjatë një interviste të publikuar më 1 gusht në podcastin Smashi Business Daily.
Duke folur për projektet e zhvilluara në rajon, Alabbar u ndal fillimisht te Shqipëria, ku tha:
“Për shembull, në Shqipëri ndërtova shumë shpejt. Ishte një gabim.”
Edhe pse në fragmentin e publikuar ai nuk e përmend me emër projektin, deklarata është interpretuar si referencë ndaj investimit në Durrës Marina, projekti që u prezantua nga qeveria shqiptare si një nga zhvillimet më të mëdha turistike në vend.
Menjëherë më pas, biznesmeni nga Emiratet e Bashkuara Arabe u ndal edhe te përfshirja e kompanisë së tij në garën për plazhet e Velika Plaža në Mal të Zi, një projekt që shkaktoi polemika të forta politike dhe protesta në vend.
Alabbar tha se nuk beson se duhej të kishte marrë pjesë në atë garë, duke e cilësuar vendimin si një gabim.
“Nuk mendoj se duhej të kisha marrë pjesë në tenderin për plazhet. Ishte një ide e keqe.”
Ai shtoi se për këtë vendim vazhdon të fajësojë këshillën ligjore që kishte marrë nga avokati i tij indian.
“Ende fajësoj avokatin tim indian.”
Deklaratat e Alabbar vijnë në një moment kur disa nga projektet e tij në Ballkan kanë qenë në qendër të debatit publik.
Në Shqipëri, projekti i Durrës Marina është shoqëruar me diskutime mbi ritmin e zbatimit dhe problematika teknike të raportuara gjatë punimeve, ndërsa në Mal të Zi biznesmeni u tërhoq nga koncesionet për plazhet pas reagimeve të forta të komunitetit lokal dhe aktorëve politikë.
Deklaratat e fundit përbëjnë një ndryshim të dukshëm nga qëndrimet e viteve të mëparshme. Në vitin 2021, Alabbar e cilësonte Shqipërinë si “Evropa e re” dhe investimin në Portin e Durrësit si një projekt vizionar. Pesë vjet më vonë, ai pranon se, sipas vlerësimit të tij, në Shqipëri “ndërtoi shumë shpejt” dhe se ky ishte një gabim.
https://www.instagram.com/reel/Dbffnapovts/?igsh=MWd5MGk4MGp1Nno1aQ==






















