Punonjësit e administratës së Bashkisë Klos kanë bojkotuar punën dhe kanë dalë në protestë kundër propozimit për riorganizimin administrativo-territorial, i cili parashikon shkrirjen e kësaj bashkie.
Administrata vendore kundërshton përfshirjen e Klosit në reformë dhe kërkon rishikimin e vendimit, ndërsa protestuesit kanë paralajmëruar se do ta vijojnë aksionin deri në tërheqjen e projektit.
“Kemi tepër të drejtë. Bashkia Klos duhet të funksionojë. Do të jetë më keq. Ata mund të kenë menduar se do të jetë për më mirë, por ne nuk kemi fare shpresë”, u shpreh një banor.
Një tjetër protestues deklaroi: “Jam kundër këtij projekti për ndarjen e bashkive. Kjo është loja që bëjnë të dyja partitë bashkë.”
Reagime të ngjashme janë paralajmëruar edhe në Belsh dhe Prrenjas, bashki që gjithashtu përfshihen në propozimin e mazhorancës për reformën administrativo-territoriale.
Një ditë më parë protesta u zhvilluan edhe në Poliçan, ku disa qytetarë dogjën teserat e anëtarësisë në Partinë Socialiste, ndërsa drejtuesi lokal i PS-së dha dorëheqjen përpara protestuesve.






















