Sociale 29 July 2026, 18:33 Nga VNA

Drejtoresha e Spitalit të Vlorës i përgjigjet me video në Facebook denoncimeve të qytetarëve për mungesën e barnave dhe pajisjeve bazë

Ndaje në Whatsapp

daddsad.PNG

Spitali Rajonal i Vlorës po përballet me denoncime të shumta nga qytetarët për mungesë medikamentesh bazë, por drejtuesit kanë zgjedhur një tjetër rrugë për t'u përgjigjur: videot në rrjetet sociale. Ndërsa pacientët ankohen se u duhet të blejnë privatisht çdo gjë, që nga paracetamoli e aparatet e serumit, deri te detergjentët apo kartelat infermierore, drejtoresha e spitalit, Mjaftesa Sulaj, publikoi një video nga farmacia për të treguar se çdo gjë është në rregull.

Në një skenar që i ngjan një kopjeje të vizitave të ministres Sala, drejtoresha Sulaj, e shoqëruar nga dy përfaqësuese të stafit dhe nën xhirimet e kamerës, zhvilloi një bisedë ku disa fjalë përsëriteshin dhe përgjigja sugjerohej brenda pyetjes.

Më shumë sesa një kontroll real, i gjithë inspektimi ngjante me ato vizitat e dikurshme të brigadierëve në magazinat e komunizmit kur bëhej bilanci i prodhimit, ku drejtuesja pyste me sugjestion nëse "jemi ok me planifikimin" dhe stafi konfirmonte me bindje se "farmacia është e mbuluar me të gjitha barnat".

“Unë thjesht kam ardhur për një vizitë rutinë, për të parë ecurinë dhe për të parë vazhdimësinë. Sepse për shkak të fluksit që jemi, jemi dhe më shumë të predispozuar për një numër më të madh pacientësh dhe hapen më shumë kartela ditore. Ndaj dhe dua të bëja një inspektim se si po funksionojmë dhe si ne i furnizojmë pavionet”, shprehet ndër të tjera drejtoresha Sulaj.

Mirëpo, përtej kësaj propagande bajate me video ku nxirren në pah kartonat e ilaçeve, rëndësi ka ajo që u shërbehet pacientëve realisht në spital. Kartona e kuti mund të ketë me shumicë në magazinat e xhiruara, por barnat mungojnë në pavione. Para se të mundohet të bindë ndjekësit në rrjetet sociale, Sulaj do të bënte mirë të siguronte nevojat urgjente të spitalit, në mënyrë që qytetarët të mos detyrohen të denoncojnë mungesën e tyre.

Aq më tepër kur lista e nevojave nuk ndalet te medikamentet. Qytetarët denoncojnë se aparati i grafisë në Poliklinikë ka gati dy vjet jashtë funksionit, matja e densitetit kockor nuk punon, ndërsa shërbimi i pneumologjisë është zhdukur fare. Si për të plotësuar panoramën e degradimit, aparatet e grafisë në spital përdorin ende teknologjinë e vjetër të larjes së filmave me solucion, ndërsa një aparat tjetër grafie që punoi vetëm pak muaj, u la të amortizohej plotësisht vetëm sepse askush nuk u kujdes për një riparim me kosto minimaliste.

Prandaj, reality-show nga spitali nuk i shëron pacientët, të cilëve u mbetet përsëri të nxjerrin paratë nga xhepi te farmacia e parë përballe spitalit.

Video

Një tërmet me magnitudë 4.7 goditi mbrëmjen e së premtes zonën e Napolit, me epiqendër në supervullkanin e Phlegraean Fields. Kjo ishte lëkundja më e fortë e regjistruar në 40 vitet e fundit, duke shkaktuar panik te banorët dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Sipas raportimeve, deri më tani nuk ka persona të lënduar. Megjithatë, janë shkaktuar dëme materiale si shembja e një muri hekurudhor dhe rrëshqitje dheu në Pozzuoli.

Përfundon protesta para Kryeministrisë, qytetarët nisin marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Nis protesta e 61, qytetarët marshojnë drejtë Kryeministrisë.

Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila po hetohet për vepra të rënda penale paraqitet në SPAK. Prokurorët e kanë marrë të pandehur për lotet e Unazës së Madhe, pasi më herët e kishin marrë të pandehur për tenderin për tunelin e Llogarasë, ndërsa po vijon hetimi për korrupsion e pastrim parash. Këtë të premte Ballukut do t’i komunikohet edhe zgjatja e afatit të hetimit deri më datë 20 tetor. Më herët në SPAK mbërriti Ardian Kalia, avokati i ish-ministres së Infrastrukturës.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme