
Për vite me radhë, konsumatorët panë çmimet e paketave celulare të ecnin thuajse dorë për dore, ofertat ekonomike të zhdukeshin gradualisht dhe paketat e Vodafone Albania e One Albania të ngjanin aq shumë me njëra-tjetrën, sa ndonjëherë duhej lupë për të gjetur dallimet. Megjithatë, në fund të hetimit të thelluar, Autoriteti i Konkurrencës vendosi se nuk kishte vend për gjoba. Në vend të tyre, operatorëve u la një listë me detyra dhe një mesazh që mund të përmblidhet me fjalët: "Mos e bëni më."
Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se hetimi në tregun me pakicë të shërbimeve celulare nuk solli penalitete për Vodafone Albania dhe One Albania, por solli një sërë detyrimesh që, sipas institucionit, synojnë të adresojnë ankesat e konsumatorëve dhe të garantojnë më shumë transparencë, zgjedhje dhe oferta më të favorshme, veçanërisht për pensionistët dhe studentët.
Vetë Autoriteti pranon se gjatë periudhës së hetuar u konstatuan rritje progresive dhe të përafërta të çmimeve, ngjashmëri e lartë mes paketave, reduktim i ofertave me çmime të ulëta dhe mungesë dokumentacioni që të justifikonte rritjet tarifore. Me pak fjalë, shqetësimet që konsumatorët kishin ngritur prej kohësh rezultuan se nuk ishin thjesht përshtypje.
Për këtë arsye, brenda 90 ditëve operatorët duhet të ofrojnë paketa më të favorshme për pensionistët dhe studentët nga 18 deri në 23 vjeç, të sigurojnë që paketa më e lirë të jetë e disponueshme edhe në dyqanet fizike dhe jo vetëm në aplikacione, t'u japin abonentëve mundësinë të kalojnë në një paketë më të lirë pas përfundimit të kontratës pa pengesa, si dhe të njoftojnë individualisht çdo ndryshim çmimi ose pakete të paktën 30 ditë më parë.
Po ashtu, çdo rritje çmimi duhet të mbështetet me analiza të dokumentuara të kostove, paketat e reja duhet të dallojnë realisht nga njëra-tjetra, ndërsa kontratat dhe procedurat për bartjen e numrit duhet të jenë më të qarta për konsumatorët.
Autoriteti thotë se këto masa synojnë të korrigjojnë mungesën e informimit, vështirësinë për të zgjedhur oferta më ekonomike dhe paqartësitë kontraktore. Tashmë mbetet për t'u parë nëse Vodafone dhe One do t'i marrin seriozisht këto detyrime, apo do t'i trajtojnë si një njoftim informues që lexohet shpejt dhe kalohet me "OK", njësoj si SMS-të për ndryshimin e paketave.
Vendimi do të monitorohet për një vit dhe, këtë herë, nëse ndonjë nga detyrimet nuk zbatohet, ligji parashikon edhe penalitete.






















