
Një tender me vlerë rreth 6 milionë euro për blerjen e implanteve ortopedike për Spitalin Universitar të Traumës ka sjellë në vëmendje kompaninë “LAYO” shpk, një subjekt që më herët ka qenë në pronësi të deputetit të Partisë Socialiste, Vasil Llajo.
Procedura është zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i drejtuar nga Joanid Myzyri, dhe kishte si objekt furnizimin me implante ortopedike për Shërbimin e Ortopedisë në Spitalin Universitar të Traumës, për një periudhë 24-mujore.

Fondi limit i tenderit ishte 575.2 milionë lekë, ndërsa fituese u shpall kompania “LAYO” shpk, me subjekt mbështetës “MEDICAMENTA” shpk.
Në garë morën pjesë tre kompani. Oferta e “LAYO” ishte 567.1 milionë lekë, ose rreth 98.6% e fondit limit. Por ajo që bie në sy është diferenca shumë e vogël mes ofertave të paraqitura nga kompanitë pjesëmarrëse.
“OrthoNet 360” kishte ofruar 567.3 milionë lekë, ndërsa “TRIMED” 568.3 milionë lekë. Këto diferenca minimale mes ofertave kanë ngritur pikëpyetje mbi nivelin e konkurrencës në këtë procedurë.

Vetëm tre ditë më vonë, Operatori i Blerjeve të Përqendruara i akordoi një tjetër kontratë kompanisë “LAYO”. Bëhet fjalë për procedurën me objekt blerjen e pajisjeve dhe materialeve mjekësore që përdoren për trajtimin e kockave, frakturave dhe dëmtimeve të tjera ortopedike për Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Fondi limit i tenderit ishte 398 milionë lekë të vjetra, ose rreth 412 mijë euro. Në garë kishin shfaqur interes katër kompani. Dy prej operatorëve ekonomikë u skualifikuan gjatë procedurës, ndërsa fituese u shpall kompania “LAYO”, me ofertë prej 355 milionë lekësh të vjetra.
Mes kompanive të skualifikuara ishte edhe “Albadent Group”, e cila kishte paraqitur një ofertë prej 336 milionë lekësh të vjetra, rreth 19 milionë lekë më të ulët se oferta e kompanisë fituese.
Megjithatë, oferta e saj nuk u mor në konsideratë, pasi u skualifikua për mosplotësim të kritereve të përcaktuara në dokumentet e tenderit nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, institucioni i drejtuar nga Jonaid Myzyri.
Një tjetër element që tërheq vëmendjen është historia e pronësisë së kompanisë “LAYO”.
Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “LAYO” është themeluar nga Vasil Llajo dhe ka qenë në pronësi të tij deri në vitin 2025.
Dokumentet tregojnë se Llajo e ka shitur kompaninë rreth një muaj pasi u zgjodh deputet në qarkun e Vlorës. Ai ia ka kaluar 100% të kuotave shtetases Argita Bojaxhiu, kundrejt shumës prej 150 milionë lekësh.
Por historia e kompanisë nuk përfundon këtu.
Më 16 tetor 2025, Bojaxhiu ia ka shitur aksionet tre personave të tjerë, të cilët sot rezultojnë pronarët e kompanisë. Bëhet fjalë për Ani Hasën me 50% të aksioneve, Rudina Karallin me 25% dhe Genc Kuranin me 25%.
Një detaj tjetër që bie në sy është se Ani Hasa nuk është një emër i ri për kompaninë. Sipas dokumenteve të QKB-së, ajo ka mbajtur më herët postin e administratores së “LAYO”, në kohën kur kompania ishte ende në pronësi të Vasil Llajos. Ajo u emërua administratore në mars të vitit 2023 dhe qëndroi në këtë detyrë deri në nëntor të vitit 2024.
Një vit më pas, ajo u bë pronare me 50% të aksioneve të kompanisë.
Ky zhvillim ngre pikëpyetje nëse kemi të bëjmë me një ndryshim të zakonshëm pronësie apo nëse ekzistojnë lidhje të tjera që duhet të verifikohen nga institucionet përgjegjëse.
I njëjti model edhe me kompaninë “SWISSMED”?
Një situatë e ngjashme lidhet edhe me një tjetër kompani që më herët ka qenë në pronësi të Vasil Llajos, “SËISSMED”. Në korrik të vitit 2025, dy muaj pasi mori mandatin e deputetit, Llajo ia ka shitur edhe këtë kompani Argita Bojaxhiut.
Pas ndryshimit të pronësisë, kompania ka vijuar të marrë kontrata publike në sektorin e shëndetësisë.
Në dhjetor të vitit 2025, “SWISSMED” u shpall fituese nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara në një tender për blerjen e kiteve dhe reagentëve për Qendrën Shëndetësore Kamëz. Procedura kishte fond limit rreth 17 mijë euro dhe kompania rezultoi fituese pa konkurrencë, pasi ishte e vetmja ofertë e vlefshme.


Ndërkohë, në shkurt të vitit 2026, “SWISSMED” u shpall fituese edhe në një tjetër tender të zhvilluar ga i njëjti institucion, me vlerë rreth 839 milionë lekë të vjetra.
Objekti i tenderit ishte blerja e reagentëve dhe materialeve mjekësore për analizat e gazrave në gjak. Në këtë procedurë, “SWISSMED” ofroi 71.4 milionë lekë.

Megjithatë, në garë kishte edhe kompani me oferta më të ulëta. Një prej tyre ishte “MEDFAU”, e cila kishte ofruar rreth 90 mijë euro më pak, por u skualifikua për shkak të kritereve teknike.
Pas ankimimit në Komisionin e Prokurimit Publik, ky institucion konstatoi problematika në procedurë dhe kërkoi rishqyrtimin e ofertave. Në fund, pas vendimmarrjes së KPP-së, tenderi nuk mbeti te “SWISSMED”, por iu dha kompanisë “MEDFAU”.

Këto raste tregojnë një besueshmëri të lartë që drejtuesit e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, si ish-drejtoresha Arlinda Pogaj ashtu edhe drejtuesi i tanishëm Jonaid Myzyri, kanë pasur ndaj kompanive në fjalë.
Megjithatë, transferimi i pronësisë së kompanive “LAYO” dhe “SWISSMED” menjëherë pas marrjes së mandatit të deputetit nga Vasil Llajo ka ngritur disa pikëpyetje.
Si shpjegohet që Vasil Llajo që kishte krijuar disa kompani që për vite me radhë marrin kontrata publike miliona euroshe, vendosi të largohej nga pronësia e tyre menjëherë pasi mori mandatin e deputetit për një rrogë që nuk shkon më shumë se 6 mijë euro?
Pse të dyja kompanitë kaluan fillimisht te i njëjti person, Argita Bojaxhiu, dhe më pas njëra prej tyre, “LAYO”, përfundoi në pronësi të Ani Hasës, e cila më herët kishte mbajtur edhe postin e administratores së kësaj kompanie?
A kemi të bëjmë vetëm me një ndryshim formal të pronësisë apo ekzistojnë lidhje të tjera që mund të tregojnë se kontrolli real mbi kompanitë ka mbetur i pandryshuar?
A mund të jetë ky një mekanizëm për të shmangur ligjin për konfliktin e interesit, ndërkohë që kompanitë vijojnë të marrin fonde publike?
Këto janë çështje që kërkojnë verifikim dhe sqarim nga institucionet kompetente.
Ndërkohë, fakt është se kompanitë e lidhura më herët me Vasil Llajon kanë përfituar kontrata publike në sektorin e shëndetësisë. Gjatë periudhës së pandemisë, edhe kompania tjetër e tij, “Intermedica Center”, ka përfituar kontrata me vlera të konsiderueshme për testime dhe materiale laboratorike anti-COVID.






















