Në krye të çdo vendimi gjyqësor shkruhet: “Vendim në Emër të Republikës”.
Dikur shprehja ka qenë “Në emër të popullit”, por ajo u ndryshua për shkak të përdorimit pa kriter gjatë viteve të diktaturës, kur vendimet në emër të popullit, në fakt, ishin vendime në emër të diktaturës.
Shprehja u modifikua, por në thelb mbetet e njëjta.
Vendimet gjykata i jep “Në emër të Republikës”.
Në këtë rast specifik, fjala “Republikë” nuk i referohet territorit gjeografik (tokës, maleve apo kufijve) dhe as thjesht godinave të shtetit. Do të ishte absurd një interpretim i tillë.
Kjo shprehje ka një kuptim të pastër juridik, politik dhe filozofik.
Kur gjykata thotë “Në emër të Republikës”, fjala “Republikë” i referohet popullit sovran, që është burimi i pushtetit. Sipas Kushtetutës, sovraniteti në Republikë i përket popullit. Populli ia delegon pushtetin e drejtësisë gjykatave përmes ligjit. Vendimi jepet në emër të të gjithë qytetarëve, jo në emër të një gjyqtari apo të një partie politike.
Pra, te shprehja “Në emër të Republikës”, fjala “Republikë” është sinonim i vullnetit të popullit dhe autoritetit të ligjit. Ajo tregon se pas atij vendimi qëndron e gjithë fuqia, dinjiteti dhe legjitimiteti i shtetit tonë të përbashkët.
Por a është vërtet kështu?
Gjykatat, të cilave populli u ka deleguar pushtetin për të dhënë drejtësi në emër të tij, sot nuk e lejojnë vetë popullin të dëgjojë debatin gjyqësor.
Pas dyerve të mbyllura, “Në emër të Republikës” duhet të perifrazohej si “Fshehtas Republikës”, për sa kohë që Republika nuk lejohet të dëgjojë.
Por si mundet Republika, pra populli, të gjykojë gjatë zhvillimit të një procesi nëse nuk i lejohet të shohë nëse pushteti që ka deleguar po ushtrohet drejtësisht?
Si mundet Republika, e lënë jashtë dyerve të gjykatës, të gjykojë cilësinë e atyre të cilëve u ka deleguar një pushtet që mbart fatet jo vetëm të individëve që përplasen në sallën e gjyqit, por edhe të vetë Republikës?
“Në emër të Republikës” nuk mund të ndodhë duke ia fshehur Republikës.
Në 45 vjet, në emër të popullit u abuzua shumë.
Me dyer të mbyllura, edhe sot, “Në emër të Republikës” mund të thuhet shumë dhe, për fat të keq, po aq keq dhe me po aq paaftësi e militantizëm sa dikur.
Me dyer të mbyllura, Republika mund të shndërrohet shpejt në mburojën e paaftësisë dhe padrejtësisë.
Si dikur!






















