
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të hënë, më 5 tetor 2026, në orën 15:00, në një seancë plenare ku në letër e në rendin e ditës thuhet se fokus kryesor do të jenë "diskutimet për çështje të evidentuara nga zgjedhësit". Pasi duhet të kishin kaluar një javë të tërë të gjendur mes hallit të popullit për të dëgjuar e për të sjellë shqetësimet e tyre në sallë, me shumë gjasa deputetët tanë do të konsumojnë orët e parlamentit duke u zënë për çështje të rënda politike që qëndrojnë kilometra larg jetës dhe problemeve ditore të qytetarit të thjeshtë.
Opozita pritet të ngrejë me tonë të ashpra akuzat e fundit për trafikim armësh e tenderash ushtarakë, ku përfshihet biznesmeni izraelit Ron Yeffet dhe kompania "KAYO", çështje kjo që u nxeh edhe më shumë këtë fundjavë pas kontrolleve të befasishme që SPAK dhe BKH ushtruan në vilën e tij dhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Po ashtu, pritet të sjellë debate edhe protesta e paralajmëruar nga PD për të kundërshtuar miratimin e hartës së re territoriale pa konsensus këtë të enjte, ndërsa në prapaskenë nuk përjashtohet mundësia që në sallë të hidhen edhe kunja apo debate për zhurmën e fundit të videove intime ku përflitet emri i kompozitorit Hila.
Në mes të këtij teatri politik, sy e veshë janë nga mazhoranca: pritet me kureshtje të madhe nëse deputetët e Partisë Socialiste do të shfrytëzojnë minutat e tyre për të përplasur në foltore plot 1,800 e kusur problematikat e grumbulluara me zell në platformën e nismës famëmadhe “Prania Besnike”. A do të marrin vallë dritën e diellit në sallë ankesat e depozituara nga terreni, apo “besnikëria” do të mbetet vetëm një aplikacion online dhe parullë nëpër takime partiake?
Sipas urdhrit zyrtar të nënshkruar nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, hapësira prej jo më shumë se 4 orësh për "hallet e zgjedhësve" do të ndahet sipas këtij orari të caktuar me rigorozitet:
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste: 140 minuta (Mjaftueshëm kohë për të lexuar të gjitha ankesat e "Pranisë Besnike", nëse ia del njeri)
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike: 60 minuta
Grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim”: 12 minuta
Grupi parlamentar “Partia e Lirisë”: 12 minuta
Deputetët jashtë grupeve parlamentare: 16 minuta
A do të dëgjojmë sot zgjidhje konkrete apo retorikë të konsumuar politike mes akuzave për trafik armësh, vizatime hartash e skandale rozë? Gjithçka do të zbulohet në orën 15:00, ku mbetet për t'u parë nëse Kuvendi do të mblidhet vërtet për popullin apo si gjithmonë për hesapet e veta.






















