Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një protestë të madhe kombëtare më 8 tetor, ditën kur në Kuvend pritet të diskutohet Reforma Territoriale.
Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të opozitës që të mobilizohen, duke e cilësuar tubimin e paralajmëruar si “protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur vendi”.
Por pikërisht më 8 tetor, përpara Parlamentit pritet të mblidhen edhe qytetarët e lëvizjes së njohur si “Revolucioni Flamingo”. Aktivistët e kësaj lëvizjeje kishin paralajmëruar më herët protestë në ditën kur pritet të votohet harta e re territoriale.
Kjo krijon një situatë të pazakontë: në të njëjtën ditë dhe përpara të njëjtit institucion janë paralajmëruar dy mobilizime kundër Reformës Territoriale.
Mbetet ende e paqartë nëse protesta e thirrur nga Berisha do të bashkohet me atë qytetare apo nëse dy grupimet do të protestojnë të ndara.
Deri më tani, protestat e “Flamingove” janë zhvilluar me profil qytetar dhe me distancë nga drejtuesit kryesorë të partive politike. Në tubimet e tyre është dëgjuar edhe thirrja “Rama burg, Berisha burg”, çka e bën edhe më të paqartë mënyrën se si do të bashkëjetojnë dy protestat më 8 tetor.
Nga ana tjetër, Berisha ka deklaruar më herët se PD duhet ta mbështesë protestën qytetare dhe u ka bërë thirrje demokratëve që të marrin pjesë në të.
Kështu, 8 tetori pritet të tregojë nëse opozita politike dhe protesta qytetare kanë të përbashkëta apo dallime mes njëra-tjetrës.






















