Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike u paraqit si Kuvendi i “ripërtëritjes”, i reformimit të partisë dhe i përgatitjes së saj për betejat e ardhshme politike. Por në fund të punimeve, lajmi më konkret që doli prej tij ishte se protesta e radhës ende nuk ka një datë.
Sali Berisha deklaroi se opozita do ta përcaktojë datën “nesër ose pasnesër”, duke shtyrë edhe pak vendimin për aksionin që prej javësh paraqitet si përgjigjja ndaj zgjedhjeve të 11 majit.
Kështu, pas një Kuvendi ku u fol për ripërtëritje, ringritje, organizim dhe rikthim të Partisë Demokratike, kryedemokrati u largua pa një kalendar protestash, por me premtimin se për këtë çështje do të mendohet edhe pak.
Në të njëjtën dalje, Berisha gjeti kohë të rikthehej te përplasja me Ervin Salianjin dhe mbështetësit e tij. Ai paralajmëroi se kush vazhdon të ndjekë Salianjin “i mbyll hesapet me PD-në”, duke e cilësuar ish-deputetin si të vetëpërjashtuar dhe duke përfshirë në të njëjtën logjikë edhe figura të tjera të afërta me të.
Ndërkohë, protesta e ardhshme mbetet ende pa datë. Demokratët, sipas tij, “mezi e presin”. Për momentin, megjithatë, duket se edhe vetë opozita po pret të vendosë se kur do ta zhvillojë.
Berisha tha se “kryengritja paqësore është leva e Arkimedit”. Megjithatë, në fund të Kuvendit të ripërtëritjes, i vetmi Arkimed që rezultoi me një funksion konkret ishte Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, që po shkon drejt Këshillit Kombëtar. Për levën e Arkimedit PD do të mendohet nesër ose pasnesër, sapo të gjendet edhe data e protestës.






















