Kronika 8 Janar 2026, 13:59 Nga VNA

Dosja “Milton Group”/ Prokuroria gjermane merr të pandehur Mikheil Biniashvilin, bashkëpunëtorin e Amant Josifit

Ndaje në Whatsapp

Dosja “Milton Group”/ Prokuroria gjermane merr të pandehur

Mikheil Biniashvili, 50 vjeçar, me shtetësi gjeorgjiane, u mor i pandehur të mërkurën nga Prokuroria e Bambergut në landin e Bavarisë, i konsideruar si kreu i një rrjeti ndërkombëtar mashtrimi, i njohur si Milton Group, i cili dyshohet se mashtroi më shumë se 1000 qytetarë në vende europiane gjermanisht-folëse nëpërmjet investimeve fiktive.

Biniashvili akuzohet se krijoi një seri ‘call center’-ash të përfshira në mashtrime financiare në Shqipëri, Gjeorgji, Maqedoni të Veriut dhe Ukrainë, midis viteve 2014–2022. Punonjësit në këto qendra thirrjesh telefonike i mashtronin klientët të investonin shuma të mëdha parash në platforma online për tregtimin e një game të gjerë instrumentesh financiare, duke i bindur se këto të fundit ishin mundësi të arta fitimi.

“Investitorët e mashtruar shpesh i joshnin përmes fushatave mashtruese të reklamimit, ku përfshiheshin figura të njohura publike, si aktorë dhe politikanë,” tha Prokuroria e Bambergut nëpërmjet një njoftimi për shtyp. “Kapitali i investuar zakonisht humbiste plotësisht,” shtoi ajo.

Sipas autoriteteve gjermane, Biniashvili dyshohet se ka menaxhuar një ‘call center’ në Tiranë, nga fundi i vitit 2014 deri në maj 2019, duke punësuar rreth 600 persona në kulmin e aktivitetit.

Kjo qendër ka mashtruar të paktën 180 persona në Gjermani, Austri dhe Zvicër, duke shkaktuar dëme totale prej rreth 8 milionë eurosh, nëpërmjet 28 platformave investimesh.

Megjithatë, prokurorët gjermanë theksojnë se humbjet reale janë disa herë më të larta dhe se vetëm në periudhën disa mujore nga janari 2018 deri në maj 2019, arrijnë në gati 10 milionë euro në Gjermani dhe pothuajse 50 milionë euro në nivel global.

Në Shqipëri, Biniashvili – i njohur gjithashtu me nofkën Mishka, bashkëpunoi ngushtë me ish-këshilltarin e Ministrisë së Mbrojtjes, Amant Josifi, i cili është marrë i pandehur nga autoritetet spanjolle dhe dyshohet se fshihet në Dubai.

Biniashvili akuzohet gjithashtu se, në vitet 2017 dhe 2018, ka zhvilluar një softuer për ‘cybertrading’ mashtrues me emrin PumaTS, të cilin fillimisht e ka përdorur në call center-in e tij dhe më pas, nga maji 2019 deri në bastisjen e nëntorit 2022, e ka shpërndarë për operatorë të tjerë.

Sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria e Bambergut, afro 400 platforma mashtruese janë operuar nga klientë që përdornin këtë softuer. I akuzuari dyshohet gjithashtu se u ka ofruar shërbime të tjera call center-ave mashtrues, përfshirë ndihmën për krijimin e kompanive guackë (shell companies).

Në këtë mënyrë, dyshohet se Biniashvili ka kontribuar në mashtrimin e 540 personave në vendet gjermano-folëse, me një dëm total prej rreth 44 milionë eurosh.

Megjithatë, shuma reale e mashtrimit dyshohet se është shumë më e madhe, pasi të dhënat kontabël të sekuestruara sugjerojnë humbje totale në shkallë globale prej të paktën 130 milionë eurosh për periudhën nga shkurti 2019 deri në dhjetor 2020.

Vetëm një viktimë nga Austria humbi më shumë se 11 milionë euro brenda një periudhe shtatë-mujore në faqen e rreme të investimeve “CryptoKartal”.

Biniashvili është arrestuar në Armeni në gusht 2023 dhe është ekstraduar në Gjermani në maj 2024. Zyra Qendrore Bavareze për Krimet Kibernetike e akuzon të pandehurin se ka shkaktuar në total dëme financiare prej rreth 52 milionë eurosh, të dokumentuara në aktakuzat penale, si dhe të paktën 180 milionë euro dëme nga veprimtari kriminale të paraportuara në mbarë botën.

Ai dyshohet se ka përfituar personalisht rreth 29 milionë euro nga këto krime. Aktualisht, Biniashvili përballet me akuza për dy vepra penale të mashtrimit tregtar të organizuar. Ligji gjerman parashikon një dënim me burg nga një deri në dhjetë vjet për secilën prej këtyre veprave penale./BIRN/

Video

Këto janë momentet e arrestimit të një 45-vjeçari pasi sulmoi dy burra hebrenj me thikë në zonën Golders Green, një lagje me komunitet të madh hebre në veri të Londrës. Sipas autoriteteve, sulmi po trajtohet si një akt terrorist dhe hetimet po drejtohen nga njësia kundër terrorizmit. Të plagosurit, të moshave 76 dhe 34 vjeç u dërguan në spital, ku raportohet se ndodhen në gjendje të qëndrueshme. Dëshmitarët thanë se autori ishte parë duke vrapuar në rrugë me thikë dhe duke synuar persona të identifikueshëm si hebrenj. Ai u neutralizua nga policia me Taser dhe më pas u arrestua nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Policia Metropolitane deklaroi se i dyshuari kishte edhe një histori të mëparshme dhune dhe probleme të shëndetit mendor. Kryeministri britanik Keir Starmer e dënoi sulmin duke e cilësuar si “plotësisht të tmerrshëm”, ndërsa liderët hebrenj kërkuan masa më të forta sigurie për komunitetin.

Kjo video nga darka zyrtare në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump, Zonjën e Parë Melania Trump dhe Mbretin Charles III po bëhet virale në rrjet. Shkak është një moment i sikletshëm gjatë fotos zyrtare, ku Melania duket se i heq dorën Trump, duke nxitur reagime të shumta dhe diskutime për gjuhën e trupit dhe marrëdhënien mes çiftit presidencial.

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Orikum–Vlorë pranë fshatit Tragjas. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen, i drejtuar nga shtetasi Vladimir Gaba, ka përplasur një tufë me bagëti të imta (dhi) si dhe çobanin, shtetasin Andi Demiraj, rreth 35 vjeç, i cili ndodhej në fund të kopesë. Si pasojë e përplasjes, Demiraj ka pësuar traumë dhe është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në aksin Tepelenë Krahës, në afërsi të fshatit Iliras. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin teksa qarkullonin në anë të kundërt. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar 8 persona, të cilët janë transportuar në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. “Rreth orës 18:30, në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e quajtur “Iliras”, automjeti me drejtues shtetasin indian Sh. P., 27 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen L. B., 42 vjeçe, banuese në Tiranë. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar lehtë 2 drejtuesit e automjeteve dhe 6 pasagjerë, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit“- njofton policia.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme