
Dje rastisa të dëgjoj disa komente të Arlind Qorit në podkastin e krijuar rishtazi të Lëvizjes Bashkë, lidhur me dy partitë e tjera të reja, Nisma Thurje dhe Shqipëria Bëhet. Gjuha e tij në javët e fundit ka ardhur gjithmonë e duke u ashpërsuar kundrejt këtyre dy subjekteve. Dje dëgjova t’i cilësonte si “hajdutë potencialë” dhe “kandidatë për hajdutët e të nesërmes”. Kjo përbën një nivel të ri akuze dhe konflikti të mundshëm midis subjekteve të reja.
Së pari, këto komente janë kryekëput të pabazuara në fakte. Kjo për shkak se, siç dihet, Endri Shabani dhe Adriatik Lapaj nuk kanë konsumuar pushtet asnjë ditë. Të dy janë profesionistë të fushave të tyre, kanë vite që bëjnë aktivizëm, dhe nuk ka asnjë indicie që mund të çojë në këtë hipotezë. Megjithatë, le ta marrim për të vërtetë akuzën e Qorit për një moment.
Çfarë do të bënte një hajdut potencial për t’u bërë hajdut i vërtetë? Më së pari, do të bënte përpjekje për t’u integruar në makinerinë e madhe të pushtetit për t’iu afruar sa më parë qëllimit të tij. Kjo nuk rezulton. Në daljet publike, ditë dhe natë, të dy të lartpërmendurit janë kritikë ndaj pushtetit dhe flasin aq sa munden për aferat korruptive, problematikat sociale e ekonomike që ka vendi.
Nëse supozojmë që hajduti potencial do të kishte një projekt pak më afatgjatë, atë të ndërtimit të një kapitali politik për ta negociuar pak më shtrenjtë heshtjen, do të ishim përballë një skenari tjetër që e kemi parë dhe më parë, atë që establishmenti i vjetër e ka bërë me të tjerë protestues e zëra kritikë: do të ishte përpjekur vetë t’i rekrutonte për t’u blerë heshtjen. Ne nuk e dimë a ka pasur një ofertë të tillë kundrejt Lapajt dhe Shabanit. Çfarë dimë është që, nëse ka pasur, qasja që të dy kanë në publik ndaj pushtetit, sugjeron që ata nuk e kanë pranuar. Nëse një gjë e tillë nuk ka ndodhur në mbi 10 vjet të aktivizmit të tyre, arsyeja të çon të mendosh që kjo pak gjasa ka të ndodhë dhe më tutje.
Motivin e këtyre sulmeve të zotit Qori nuk e di me siguri, por me sa duket do të faktorizohet si alternativa e vetme e re, i vetmi që nuk ka ambicie të vjedhë nëse i besohet pushtet, etj. Problemi qëndron që, në funksion të të ushqyerit këtë narrativë për veten dhe subjektin e tij, Qori po i shërben pa dashje sistemit që aq shumë po lufton. Subjektet e tjera të reja dhe Lëvizja Bashkë kanë kundërshtar politik të përbashkët. Ata do të duhet të ishin natyrshëm aleatë dhe të formonin një front të përbashkët kundër politikës së vjetër.
Përfitimet këtu do të ishin të shumta: fuqia e mesazhit të bashkimit do të sillte një efekt sinergjie dhe do të mund të rrezikonte seriozisht politikën e vjetër duke nxjerrë më shumë njerëz në votime; shto këtu dhe votën e diasporës së miratuar së fundmi. Nga ana logjistike, partitë do të maksimizonin burimet dhe ekspertizën, do të dilnin me një program të përbashkët më të balancuar, etj. Por me qëndrimet e djeshme, Qori duket se po ia mbyll përfundimisht derën një koalicioni të tillë.
Këtë model të të bërit politikë e kemi parë për 34 vite. Modelin e baltosjes dhe shpifjes, politika e vjetër kundër së cilës Arlindi lufton, e ka përsosur. Nëse ky është modeli që të rinjtë e politikës do të ofrojnë, atëherë do të ndërrojmë vetëm fytyrat e Ramës dhe Berishës, jo konceptin e politikëbërjes dhe debatit. Besimi publik në sistemin politik do të jetë po ai që është; nuk do të shkojmë drejt ideve të reja, zgjidhjeve të përbashkëta, etj.
Modeli i qytetarit që partitë e reja synojnë t’i marrin votën është ai i të zhgënjyerit nga politika e vjetër dhe status quo-ja dhjetëra vjeçare. Do të doja shumë ta pyesja zotin Qori: çfarë mesazhi merr ky qytetar kur dëgjon nga ju këtë gjuhë përbaltjeje dhe akuzash të pabaza? Kjo gjuhë është në vazhdën e asaj që kemi parë Ramën, Berishën e Metën të bëjnë prej 30 vitesh me njëri-tjetrin. Kjo natyrshëm i bën njerëzit të mendojnë që kemi fytyra të reja dhe avaz të vjetër, dhe se ju si parti të reja jeni të paaftë për të ofruar diçka ndryshe për të adresuar problemet e vërteta të vendit. E sigurt është që nuk jeni duke i bërë nder imazhit tuaj në sytë e elektoratit gri.
Së fundmi, nga këto qëndrime, për hir të së vërtetës të pareplikuara ende nga Lapaj dhe Shabani, përfiton vetëm politika e vjetër. Delegjitimimi dhe anatemimi i njëri-tjetrit nga partitë e reja është muzikë për veshët e politikës së vjetër. Të biesh në grackën e baltosjes dhe shpifjes do të thotë të luash në terrenin që PS dhe PD njeh më mirë, dhe aty nuk i mund dot.
Mesazhi për votuesit është i qartë: nëse politika e re i përshtatet modelit të vjetër të përbaltjes, atëherë ne thjesht do të ndërrojmë fytyrat, por jo thelbin. Për të pasur një politikë të ndershme dhe funksionale, duhet t’i japim fund mentalitetit të vjetër dhe të kërkojmë nga përfaqësuesit tanë një politikë që ndërton, jo që shkatërron. Vetëm atëherë vota do të marrë kuptimin e saj të plotë si mjet ndryshimi real.
Nga Arjan Lleshi