
Apeli i Posaçëm kyç në burg Ergys Agasin. Ai kerkoi masë më të lehtë sigurie, por u refuzua nga shkalla e dytë e gjyqësorit. Agasi akuzohet si kreu i një grupi kriminal që vepronte brenda AKSHI.
Sot SPAK caktoi masë sigurie arrest shtëpie dhe pezullim nga detyra për drejtoreshën e SHISH, Vlora Hysenin.
Në burg do qëndrojë edhe Ulian Shpataraku, pasi i njejti trup gjykues në Apel vendosi që të lërë në fuqi masën e sigurimit e caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues
monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Florjan Kalaja, sot më datë 22.09.2026, disponoi për
çështjen penale nr. 43 akti, datë 17.09.2026 regjistrimi, mbi ankimin e
personit nën hetim/ankues E.A, në lëndë të masave të
sigurimit, si vijon:
- Miratimin e vendimit nr. 62, datë 28.08.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Në bazë dhe për zbatimin të nenit 103 të K.Pr.Penale ndalohet publikimi i vendimit deri në mbylljen e hetimeve paraprake.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Tiranë, më datë 22.09.2026.






















