
Forcat izraelite kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore në jug të Libani, ku sipas raportimeve janë vrarë të paktën dy persona dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur, pavarësisht armëpushimit të shpallur muajin e kaluar.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit (NNA), një sulm ajror goditi një banesë në qytetin al-Rafid, në distriktin Rashaya al-Uadi, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri. Një tjetër sulm në Shahabiya la viktima dhe të plagosur, ndërsa një dron izraelit goditi rrugën Ain Baal në zonën Al-Housh pranë qytetit Tyre, ku humbi jetën edhe një person tjetër.
Bombardimet shkaktuan dëme të konsiderueshme edhe në infrastrukturën civile. Një sulm pranë spitalit Hiram në Tyre dëmtoi rëndë godinën dhe shkaktoi panik te pacientët dhe personeli mjekësor. Drejtori i spitalit, Salman Aydibi, deklaroi se rreth 40 pacientë, mes tyre shtatë në terapi intensive, u transferuan me urgjencë drejt zonave më të sigurta pas paralajmërimeve për evakuim.
Ai bëri të ditur gjithashtu se rreth 30 punonjës të spitalit pësuan lëndime të lehta, ndërsa institucioni vazhdon të funksionojë pjesërisht.
Shpërthime të forta u raportuan edhe në zonat Yohmor al-Shaqif dhe Taybeh në jug të Libanit. Ndërkohë, ushtria izraelite lëshoi urdhra të rinj për zhvendosje të detyruar për banorët e disa qyteteve dhe fshatrave jugore, përfshirë Nabatieh, Kafr Tibnit, Arab Salim dhe Deir Qanun al-Nahr.
Banorët kanë nisur të largohen me familjet e tyre mes frikës dhe pasigurisë për rikthimin në shtëpi. Nga ana tjetër, Hezbollah deklaroi se kishte goditur dy sisteme Iron Dome në kazermën Biranit në veri të Izraeli.
Ushtria libaneze njoftoi gjithashtu se një ushtar mbeti i plagosur pas një sulmi izraelit ndaj një kazerme ushtarake në Nabatieh.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, mbi 3,100 persona janë vrarë që prej përshkallëzimit të sulmeve izraelite më 2 mars. Mes viktimave raportohen mbi 210 fëmijë, rreth 300 gra dhe 123 punonjës të sektorit shëndetësor. Sulmet kanë vijuar edhe pas armëpushimit të shpallur më 16 prill nga Donald Trump.






















