Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se samiti i ardhshëm i NATO-s në Ankara do të jetë “një nga samitet më të rëndësishme të liderëve në historinë e aleancës”, pasi aty do të diskutohet edhe zhgënjimi i Donald Trump me mënyrën sesi NATO i është përgjigjur operacioneve amerikane në Lindjen e Mesme.
Rubio i bëri komentet gjatë mbledhjes ministrore të NATO-s në Suedi, ku fillimisht falënderoi Stokholmin për mikpritjen, por më pas e zhvendosi fokusin te tensionet mes SHBA-së dhe aleancës.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë angazhime globale që kërkojnë rishikim të vazhdueshëm të vendosjes së trupave tona”, tha Rubio, duke iu referuar edhe njoftimit amerikan për Poloninë.
Ai theksoi se kjo nuk duhet parë si masë ndëshkuese ndaj aleatëve, por si pjesë e një rishikimi të përhershëm të pranisë ushtarake amerikane në botë.
Rubio shtoi se samiti në Ankara do të jetë niveli ku liderët do të duhet të adresojnë drejtpërdrejt pakënaqësitë e Trump me NATO-n, ndërsa paralajmëroi se çështja nuk mund të zgjidhet në nivel ministrash.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi se SHBA sheh ende hapësira të mëdha bashkëpunimi me NATO-n, sidomos në industrinë e mbrojtjes.






















