Disa shtete nëpër botë dhe deputetë dënuan të mërkurën trajtimin e aktivistëve të ndaluar në flotiljen humanitare “Sumud”, e cila po udhëtonte drejt Gazës.
Reagimet erdhën pasi partneri i koalicionit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, publikoi pamje ku aktivistët e arrestuar nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare shfaqeshin me duar të lidhura dhe të detyruar të gjunjëzoheshin.
Franca thirri ambasadorin izraelit për të shprehur “indinjatë”, ndërsa ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot i cilësoi veprimet e Ben-Gvirit si “të papranueshme” dhe e kërkoi lirimin “sa më shpejt të jetë e mundur” të shtetasve francezë.
“Veprimet e zotit Ben-Gvir ndaj pasagjerëve të flotiljes ‘Sumud’, të dënuara edhe nga kolegët e tij në qeverinë izraelite, janë të papranueshme”, shkroi Barrot në X.
Ai tha se Parisi kishte shprehur vazhdimisht kundërshtimin ndaj iniciativës së flotiljes, por theksoi se shtetasit francezë “duhet të trajtohen me respekt dhe të lirohen sa më shpejt të jetë e mundur”.
Edhe Spanja thirri të ngarkuarin me punë të Izraelit pasi ministri i Jashtëm Jose Manuel Albares dënoi trajtimin “monstruoz”, “çnjerëzor” dhe “të turpshëm” ndaj aktivistëve në flotilje.
Italia njoftoi se do ta thërrasë ambasadorin izraelit pasi kryeministrja Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani dënuan trajtimin “e papranueshëm”.
“Pamjet e ministrit izraelit Ben Gvir janë të papranueshme. Është e papranueshme që këta protestues, përfshirë shumë shtetas italianë, t’i nënshtrohen një trajtimi që e cenon dinjitetin e tyre njerëzor”, thuhej në deklaratë.
Qeveria italiane tha se po ndërmerr hapa të menjëhershëm “në nivelet më të larta institucionale” për ta siguruar lirimin e italianëve të përfshirë në incident dhe kërkoi sqarim formal dhe kërkimfalje nga Izraeli.
Sekretarja britanike e Jashtme, Yvette Cooper, deklaroi se ishte “thellësisht e tronditur” nga pamjet, duke thënë se ato shkelin “standardet më bazike të respektit dhe dinjitetit”.
Belgjika gjithashtu thirri ambasadorin izraelit, ndërsa ministri i Jashtëm Maxime Prevot e cilësoi trajtimin e aktivistëve si “thellësisht shqetësues” dhe “të papranueshëm”.
Ministri i Jashtëm holandez Tom Berendsen dënoi pamjet “tronditëse dhe të papranueshme”, duke thënë se trajtimi i të ndaluarve “shkel dinjitetin bazë njerëzor”.
Kryeministri irlandez Micheal Martin e quajti sjelljen “tronditëse” dhe tha se ajo përbën “shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, ndërsa zëvendëskryeministrja sllovene Tanja Fajon e cilësoi trajtimin e aktivistëve si “tronditës dhe plotësisht të papranueshëm”.
Edhe Greqia dënoi trajtimin e aktivistëve, me Ministrinë e Jashtme që e cilësoi sjelljen e Ben-Gvirit “të papranueshme dhe absolutisht të dënueshme”.






















