Autoritetet austriake kanë nisur hetimet ndaj një shtetasi austriak, i dyshuar se ka marrë pjesë në të ashtuquajturat “ture snajperësh” gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1990, ku të huaj paguanin shuma të mëdha parash për të qëlluar mbi civilë të pafajshëm në qytetin e rrethuar.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë në Austri, hetimet kanë nisur që në muajin prill nga prokuroria e Vjenës, pas një kërkese parlamentare të paraqitur nga ish-ministrja e Drejtësisë, Alma Zadic, aktualisht zëdhënëse e Partisë së Gjelbër për çështjet e drejtësisë.
Autoritetet konfirmojnë se nën hetim ndodhet edhe një person tjetër ende i paidentifikuar, ndërsa në këtë fazë ekzistojnë “baza të vlefshme dyshimi” ndaj personave të përfshirë.
Sipas pretendimeve të hetuesve, gjatë luftës në Bosnjë disa të huaj paguanin deri në 100 mijë euro për të marrë pjesë në “safari snajperësh”, duke qëlluar mbi njerëzit në Sarajevën e rrethuar.






















