Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se Bashkimi Europian nuk ka përdorur mjaftueshëm potencialin e tij diplomatik për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në një intervistë për median publike gjermane WDR, Merkel u shpreh se mbështetja ushtarake për Ukrainën ka qenë e nevojshme dhe e drejtë, por sipas saj Europa duhet të kishte bërë më shumë në aspektin diplomatik.
“Pendohem që, sipas mendimit tim, Europa nuk po përdor mjaftueshëm potencialin e saj diplomatik. Nuk mjafton që vetëm presidenti amerikan, Donald Trump, të mbajë kontakte me Rusinë”, tha ajo.
Merkel bëri të ditur se në tetor të vitit 2021, gjatë mbledhjes së saj të fundit në Këshillin Europian, kishte propozuar krijimin e një formati diplomatik mes BE-së dhe Rusisë, disa muaj përpara nisjes së luftës në shkallë të plotë në Ukrainë. Sipas saj, ideja nuk u mbështet për shkak të qëndrimeve të ndryshme brenda bllokut europian për mënyrën e trajtimit të Moskës.
Ajo theksoi se diplomacia duhet të mbetet gjithmonë pjesë e zgjidhjes, duke kujtuar se edhe gjatë Luftës së Ftohtë, dialogu ka qenë i domosdoshëm. Merkel shtoi gjithashtu se nuk i është propozuar ndonjë rol për të përfaqësuar BE-në në negociata të mundshme me Rusinë.






















