Pentagoni ka vendosur të reduktojë nga katër në tre brigadat luftarake amerikane të stacionuara në Europë, duke kthyer praninë ushtarake të SHBA-së në nivelet e vitit 2021. Vendimi prek rreth 4 deri në 5 mijë ushtarë amerikanë dhe vjen në vazhdën e politikës “America First” të Donald Trump.
Sipas raportimeve të Reuters, administrata Trump pritet gjithashtu t’u komunikojë aleatëve të NATO-s se SHBA do të reduktojë forcat e disponueshme për Aleancën në rast krizash apo konfliktesh të mëdha.
Njoftimi zyrtar pritet të bëhet të premten dhe shihet si një tjetër sinjal se Uashingtoni synon të zvogëlojë ndjeshëm angazhimin ushtarak në Europë, duke kërkuar që vendet europiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.
Pentagoni konfirmoi se reduktimi i brigadave ka shkaktuar edhe vonesa në dislokimin e trupave në Poloni, ndërsa vendndodhja përfundimtare e forcave amerikane në Europë do të përcaktohet pas analizave të mëtejshme strategjike dhe operative.
Një Brigade Combat Team, njësia kryesore e manovrës së ushtrisë amerikane, përbëhet nga rreth 4 mijë deri në 4.700 trupa.
Në deklaratën zyrtare thuhet se rishikimi i pranisë ushtarake amerikane synon të “promovojë axhendën America First” dhe njëkohësisht të detyrojë aleatët europianë të NATO-s të marrin “përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale të Europës”.
Pentagoni bëri të ditur gjithashtu se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka zhvilluar një bisedë me zëvendëskryeministrin polak Władysław Kosiniak-Kamysz, duke garantuar se SHBA do të ruajë një prani të fortë ushtarake në Poloni. Në deklaratë theksohet se Varshava “ka treguar se ka kapacitetin dhe vullnetin për t’u mbrojtur vetë” dhe se aleatët e tjerë të NATO-s duhet të ndjekin të njëjtin shembull.






















