Forcat izraelite kanë ndërmarrë një tjetër operacion ndaj flotiljes humanitare që po lundronte drejt Gazës, duke ndaluar edhe 10 anijet e fundit që kishin mbetur në det pas ndërhyrjes së një dite më parë ndaj 40 mjeteve të tjera lundruese.
Pamjet e publikuara nga bordet e anijeve tregojnë ushtarë izraelitë të armatosur që afrohen dhe hipin në anije, ndërsa aktivistët qëndrojnë me duart lart për të treguar karakterin paqësor të misionit. Në disa video dëgjohen edhe të shtëna me plumba gome ndaj ekuipazheve.
“Pse po qëlloni? Jemi të paarmatosur”, dëgjohen të bërtasin aktivistët në një nga anijet me flamur italian.
Sipas organizatorëve të flotiljes, anija Sirius ndodhej më pak se 70 milje larg brigjeve të Gazës kur u interceptua nga marina izraelite. Mes anijeve të ndaluara ishte edhe ajo ku udhëtonte deputeti italian i Lëvizjes 5 Yjet, Dario Carotenuto, si dhe gazetarë e aktivistë të tjerë italianë.
Ministria e Jashtme italiane njoftoi se ministri Antonio Tajani ka kërkuar verifikime urgjente mbi përdorimin e forcës nga Izraeli.
Ndërkohë, SHBA njoftoi sanksione ndaj katër personave të lidhur me Konferencën e Palestinezëve Jashtë Vendit, të cilët sipas Uashingtonit kanë lidhje me Hamasin dhe me organizimin e flotiljes.
Sipas organizatorëve, mbi 300 aktivistë janë ndaluar deri tani dhe pritet të transferohen në portin izraelit të Ashdodit për procedura të përshpejtuara dëbimi.






















