
I dërguari i SHBA-së në Groenlandë, ishulli i madh arktik që prej kohësh shihet si zonë me interes strategjik nga Presidenti Donald Trump, deklaroi për AFP se Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë praninë e tyre në territorin autonom danez.
“Mendoj se është koha që SHBA-të të vendosin gjurmët e tyre përsëri në Groenlandë. Mendoj se po e shihni presidentin duke folur për rritjen e operacioneve të sigurisë kombëtare dhe zhvendosjen e personelit në disa baza në Groenlandë”, tha Jeff Landry. “Groenlanda ka nevojë për SHBA-në”, shtoi ai pas vizitës së tij të parë në ishull që nga marrja e detyrës në dhjetor 2025.
Landry, një republikan dhe njëkohësisht guvernator i Luizianës, nuk ishte ftuar zyrtarisht në Groenlandë, ndërsa prania e tij ka shkaktuar reagime të forta në vend.
Aktualisht, ushtria amerikane ka vetëm një bazë në Groenlandë, në Pitufik në veri të ishullit, nga 17 që kishte gjatë Luftës së Ftohtë.
Presidenti Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA duhet të ketë kontroll mbi Groenlandën për arsye sigurie kombëtare, duke argumentuar se përndryshe ishulli mund të bjerë nën ndikimin e Kinës ose Rusisë.
Groenlanda ndodhet në një pozicion strategjik midis Rusisë dhe SHBA-së për raketat, ndërsa zotëron gjithashtu rezerva të konsiderueshme mineralesh të rralla dhe pritet të ketë rëndësi të shtuar me shkrirjen e akullnajave dhe hapjen e rrugëve të reja detare.
Sipas raportimeve, Uashingtoni po shqyrton mundësinë e hapjes së tre bazave të reja në jug të ishullit. Një marrëveshje mbrojtëse e vitit 1951, e përditësuar në 2004, i lejon SHBA-së të rrisë praninë ushtarake në Groenlandë, me kusht njoftimin paraprak të Danimarkës dhe Groenlandës.
Trump ka përsëritur më herët edhe kërcënime për marrjen e kontrollit të ishullit, ndërsa një grup pune SHBA–Danimarkë–Groenlandë është krijuar për të trajtuar tensionet e ngritura.
Në një intervistë për gazetën Sermitsiaq, Landry theksoi gjithashtu çështjen e pavarësisë së Groenlandës, duke thënë se ekzistojnë mundësi për zhvillim ekonomik që mund të çojnë drejt shkëputjes nga Danimarka, megjithëse autoritetet lokale nuk kanë një plan të menjëhershëm.
“Unë besoj se ka mundësi të jashtëzakonshme që mund t’u lejojnë banorëve të Groenlandës të kalojnë nga varësia në pavarësi”, deklaroi ai.






















