Shtetet e Bashkuara kanë ndërprerë përkohësisht angazhimin e tyre në përpjekjet për ndërmjetësim mes Ukrainës dhe Rusisë, pas mungesës së progresit në procesin diplomatik për t’i dhënë fund luftës.
Lajmi u bë i ditur nga Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, i cili deklaroi se Uashingtoni kishte qenë një nga të paktat palë që kishte mbajtur kontakte të drejtpërdrejta si me Moskën ashtu edhe me Kievin.
“Ne ishim të vetmit me të cilët si rusët ashtu edhe ukrainasit ishin të gatshëm të flisnin, prandaj u përfshimë. Fatkeqësisht, kjo nuk solli rezultate,” u shpreh Rubio, duke theksuar se SHBA do të rikthehet në proces vetëm nëse ndryshojnë rrethanat dhe dinamika e bisedimeve.
Ai shtoi gjithashtu se Uashingtoni është i hapur që ndërmjetësimi të merret përsipër nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë, nëse ata dëshirojnë të përfshihen.
Vendimi vjen në një moment kur lufta në Ukrainë vijon pa shenja të qarta për një marrëveshje të afërt paqeje.






















