Presidenti i Çekisë, Petr Pavel, i ka bërë thirrje NATO-s që të reagojë më ashpër ndaj provokimeve të vazhdueshme të Rusisë në krahun lindor të aleancës, duke propozuar masa të forta si ndërprerja e internetit rus, shkëputja e bankave nga sistemi financiar global dhe madje rrëzimi i avionëve që shkelin hapësirën ajrore të vendeve anëtare.
Në një intervistë për The Guardian, Pavel deklaroi se NATO duhet të japë përgjigje “të vendosura dhe potencialisht asimetrike” ndaj veprimeve provokuese të Moskës, pasi sipas tij, mungesa e reagimit vetëm sa e inkurajon Kremlinin të intensifikojë veprimet.
Ish-gjenerali dhe ish-kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s tha se Rusia prej vitesh teston kufijtë e aleancës pa kaluar pragun e Nenit 5, i cili parashikon mbrojtje kolektive në rast sulmi ndaj një vendi anëtar.
“Rusia nuk e kupton gjuhën e sjellshme. Ata kuptojnë gjuhën e forcës”, u shpreh Pavel, duke paralajmëruar se nëse shkeljet ajrore vazhdojnë, NATO mund të detyrohet të rrëzojë dronë apo edhe avionë me pilot që cenojnë hapësirën e saj ajrore.
Presidenti çek përmendi edhe incidente të fundit në shtetet baltike, ku dronë dhe mjete ajrore kanë hyrë në territorin e vendeve anëtare të NATO-s, duke rritur tensionet në rajon.
Ai kritikoi indirekt mungesën e presionit nga Donald Trump ndaj Rusisë, por shmangu sulmet e drejtpërdrejta ndaj ish-presidentit amerikan, duke theksuar se uniteti i aleancës mbetet thelbësor.
Pavel shtoi se NATO duhet të shqyrtojë edhe masa të tjera “asimetrike”, si ndërprerja e internetit dhe satelitëve rusë apo izolimi i sistemit bankar të Moskës, në mënyrë që Kremlini të kuptojë se provokimet nuk do të tolerohen më.






















