Bashkimi Europian po shqyrton vendosjen e sanksioneve ndaj ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, pas publikimit të pamjeve ku aktivistët e flotiljes për Gazën shfaqen duke u poshtëruar dhe keqtrajtuar.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, konfirmoi se propozimi, i mbështetur veçanërisht nga Italia dhe Spanja, do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të Jashtëm më 15 qershor.
Zëdhënësi i Komisionit Europian për Punët e Jashtme, Anouar El Anouni, deklaroi se “sjellja e ministrit izraelit Ben-Gvir është e padenjë për këdo që mban një post publik në një demokraci”.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dënoi trajtimin e aktivistëve të flotiljes dhe kërkoi falje nga Izraeli, ndërsa gjatë takimit me homologun irlandez Micheál Martin përsëriti kundërshtimin ndaj “dhunës së kolonëve dhe aktiviteteve të vendbanimeve izraelite”.
Edhe ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani deklaroi se Europa nuk mund të heshtë pas asaj që ndodhi me aktivistët në Izrael.
“Nuk mund të mos kërkojmë sanksione ndaj një ministri që ka shkelur të gjitha të drejtat e njeriut dhe organizoi një lloj show mediatik duke poshtëruar njerëz që nuk kishin kryer krime”, u shpreh Tajani.
Ndërkohë, liderët e Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë publikuan një deklaratë të përbashkët kundër zgjerimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.
Vetëm dhjetë ditë më parë, 27 vendet e BE-së ranë dakord politikisht për sanksione ndaj kolonëve ekstremistë izraelitë të akuzuar për dhunë ndaj palestinezëve, përfshirë ngrirje asetesh dhe ndalim hyrjeje në territorin europian.
Në diskutimet në Bruksel, Franca dhe Suedia kanë propozuar gjithashtu ndalimin e importeve në BE të produkteve që vijnë nga vendbanimet izraelite të konsideruara të paligjshme nga e drejta ndërkombëtare, ndërsa Holanda ka vendosur ta zbatojë një masë të tillë në mënyrë të njëanshme.






















