Një burim ushtarak iranian ka paralajmëruar se Teherani do të godasë infrastrukturën strategjike në rajon, përfshirë objektet energjetike, nëse Shtetet e Bashkuara sulmojnë ura dhe centrale elektrike në territorin iranian.
Paralajmërimi vjen pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, i cili tha se Uashingtoni do të godasë infrastrukturën iraniane nëse Irani sulmon anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Në një prononcim për agjencinë gjysmëzyrtare iraniane Tasnim, burimi ushtarak deklaroi se Irani ka një “vendosmëri prej çeliku” për të ushtruar kontrollin e tij mbi këtë rrugë ujore strategjike dhe se nuk do të lejojë që ajo të përdoret si burim kërcënimesh ndaj vendit.
Sipas tij, lundrimi në Ngushticën e Hormuzit do të mbetet i sigurt për anijet që koordinohen me autoritetet iraniane dhe respektojnë rregullat e vendosura nga Teherani.
“Një sulm amerikan ndaj ndonjë ure apo centrali elektrik iranian do të pasohej nga një kundërpërgjigje ndaj infrastrukturës rajonale, përfshirë objektet energjetike ku SHBA-ja ka interesa”, paralajmëroi burimi.
Ai shtoi se Uashingtoni duhet ta ketë kuptuar gjatë ditëve të fundit aftësinë e Iranit për të goditur objektivat që zgjedh, duke e cilësuar çdo përshkallëzim të ri nga ana e Trump si një “aventurë” që do të përfundonte me dështim.
Tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm, ndërsa forcat amerikane dhe iraniane kanë vijuar shkëmbimin e sulmeve, pavarësisht një marrëveshjeje kornizë të ndërmjetësuar nga Pakistani dhe të nënshkruar në qershor, që synonte përfundimin e konfliktit të nisur në shkurt dhe hapjen e rrugës drejt një marrëveshjeje afatgjatë paqeje.






















