Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit, duke deklaruar se çdo sulm iranian ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit do të pasohet me goditje amerikane ndaj infrastrukturës strategjike të Teheranit.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se SHBA-ja do të bombardojë ura ose centrale elektrike iraniane sa herë që Irani sulmon një anije tregtare, pavarësisht armës së përdorur.
"Nga ky moment e tutje, sa herë që Republika Islamike e Iranit qëllon ndaj një anijeje në Ngushticën e Hormuzit, qoftë me raketë, predhë, dron apo me çfarëdo arme tjetër, SHBA-ja do të bombardojë dhe do të shkatërrojë një urë ose central elektrik, përfshirë edhe ato që ndodhen pranë ose brenda Teheranit", shkroi presidenti amerikan.
Deklarata vjen në një kohë kur përplasjet mes dy vendeve vazhdojnë të përshkallëzohen. Që prej javës së kaluar, SHBA-ja ka ndërmarrë një seri sulmesh ndaj objektivave në territorin iranian, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur duke goditur baza dhe objekte të përdorura nga ushtria amerikane në vende të ndryshme të Lindjes së Mesme.
Përplasjet kanë vijuar edhe pse në muajin qershor SHBA-ja dhe Irani nënshkruan, me ndërmjetësimin e Pakistanit, një marrëveshje kornizë që synonte t'i jepte fund konfliktit të nisur në shkurt dhe të hapte rrugën drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje.
Deklaratat e fundit të Trump sinjalizojnë një tjetër përshkallëzim të tensioneve, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të shprehë shqetësim për rrezikun e zgjerimit të konfliktit në rajon.






















