
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka pranuar se nuk ka autoritet ligjor për të urdhëruar arrestimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, nëse ai viziton qytetin për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Mamdani sqaroi se, ndonëse gjatë fushatës për zgjedhjet e vitit 2025 ishte zotuar se do të zbatonte urdhërarrestin e lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ndaj Netanjahut, verifikimet ligjore kanë treguar se administrata e qytetit nuk gëzon kompetenca për ta zbatuar atë.
Sipas tij, administrata e Bashkisë së Nju Jorkut ka shqyrtuar të gjitha bazat ligjore të mundshme për të përcaktuar nëse qyteti mund të vepronte në mënyrë të pavarur, por përfundimi ishte se një autoritet i tillë nuk ekziston.
Megjithatë, Mamdani ritheksoi qëndrimin e tij politik ndaj kryeministrit izraelit, duke deklaruar se Netanjahu nuk është i mirëpritur në Nju Jork, ku në shtator zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ai i bëri thirrje qeverisë federale amerikane që të ndërhyjë dhe të zbatojë urdhërarrestin nëse Netanjahu udhëton drejt Shteteve të Bashkuara.
“Benjamin Netanjahu është një kriminel lufte, arkitekti i një gjenocidi të tmerrshëm kundër popullit palestinez”, u shpreh Mamdani.
Nga ana tjetër, presidenti Donald Trump ka deklaruar më herët se Netanjahu nuk do të arrestohet gjatë qëndrimit të tij në territorin amerikan, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk e njohin juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Edhe ekspertët e së drejtës kanë shprehur më herët dyshime mbi mundësinë që kryebashkiaku i Nju Jorkut të urdhërojë Policinë e qytetit të arrestojë një udhëheqës të huaj, duke argumentuar se një kompetencë e tillë i takon autoriteteve federale dhe jo pushtetit vendor.






















