Qeveria e re britanike, e drejtuar nga kryeministri Andy Burnham, ka njoftuar vendosjen e një tavani prej 2 paundësh për biletat e autobusëve, masë që do të hyjë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm.
Sipas qeverisë, kufizimi i çmimit do të ulë koston e udhëtimit me autobus deri në një të tretën dhe synon të lehtësojë barrën financiare të qytetarëve në kushtet e krizës së kostos së jetesës. Zbatimi i kësaj nisme do të mbështetet nga një fond shtesë prej 454 milionë paundësh, i financuar përmes rishikimit të prioriteteve të shpenzimeve në buxhetin e Departamentit për Sigurinë e Energjisë dhe Emetimet Zero.
“Siç kam thënë që nga dita e parë, do të ndërtoj një vend që funksionon për të gjithë, kudo. Kjo do të thotë komunitete më të lidhura, akses më të madh në mundësi dhe më pak barrë financiare në jetën e njerëzve”, deklaroi Burnham.
Njoftimi vjen vetëm një ditë pasi qeveria britanike bëri të ditur se do të heqë TVSH-në nga faturat e energjisë elektrike për familjet, një masë që hyn në fuqi më 1 tetor. Kostoja e saj do të mbulohet përmes anulimit të projektit të identitetit dixhital, me vlerë 1.8 miliardë paundësh.
Kryeministri Burnham paralajmëroi se në ditët në vijim do të prezantohen edhe masa të tjera ekonomike, me fokus mbështetjen e familjeve dhe qytetarëve me të ardhura më të ulëta.






















