Editorial 11 November 2024, 17:00 Nga VNA

Informaliteti nuk luftohet me aksione

Ndaje në Whatsapp
Informaliteti nuk luftohet me aksione

Që kur erdhi në pushtet në vitin 2013, qeveria i bëri rutinë aksionet. I pari ishte ai në luftën kundër informalitetit, që u nis me bujë e “shfaqje”, duke shënjestruar biznesin e vogël.

Ndonëse qëllimi i qeverisë në luftën ndaj informalitetit u vlerësua i drejtë, debatet ishin të shumta mbi mënyrën si u zhvillua ai, duke krijuar pothuajse një ambient terrori, si thirrjet se kjo është luftë, apo përqendrimin fillimisht te bizneset e vogla, shumëfishimin e gjobave e deri te kërcënimet për burg për shkelësit.

Në atë kohë u miratuan dhjetëfishimi i gjobës për mosdeklarim punonjësish dhe mosdeklarimin e pagës reale në 500 mijë lekë, apo dhe konfiskim deri në 50% të xhiros nëse ke detyrime fiskale. E gjithë kjo situatë krijoi ngarkesë negative në ekonomi. Situata arriti deri aty sa shifrat treguan që në shtator 2015 u frenuan konsumi dhe investimet.

Përfundimi?! Aksioni dështoi me aq sukses, saqë informaliteti jo vetëm që nuk u luftua, por qeveria, e “trembur” nga imazhi i keq që krijoi, jo vetëm që u tërhoq nga supergjobat, por vendosi të hiqte fare taksat te biznesi i vogël.

Kjo heqje e taksave për biznesin e vogël më pas u kthye në një rreth vicioz, teksa u nxit shmangia e profesioneve të lira, që shfrytëzuan shtigjet ligjore që u krijuan në diferencën e taksimit mes sipërmarrjeve të vogla dhe individëve me paga relativisht të larta.

Sërish nisën aksionet, që zgjatën për disa vjet, me përpjekje të shumta nga paralajmërimet e deri te ndryshimet ligjore, deri në dështimin e radhës, kur ndryshimet në ligjin për profesionet e lira u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese.

Aksioni ka rifilluar, këtë herë në tregun e punës dhe kjo nuk është hera e parë. Nuk ka asnjë dyshim që në këtë segment, informaliteti është shumë i lartë.

Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, për shumë vite, kanë ngecur në rreth 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), sa gjysma e mesatares rajonale, ndërkohë që në shtetet e zhvilluara të Europës, ky tregues është mbi 13%.

Aksioni më i fundit filloi me paralajmërime ndaj subjekteve dhe pastaj me veprime e kontrolle, ndonëse kërcënimet sërish nuk kanë munguar “për masa të rënda administrative dhe me gjasa, edhe penale”.

Kjo po ndodh në një kohë që qeveria e di këtë fenomen dhe e ka toleruar prej vitesh dhe tashmë thjesht duket se po e shfrytëzon për të mbuluar “hallin” e pensionistëve, të cilët po ankohen për nivelet e ulëta, duke e hequr përgjegjësinë nga vetja dhe duke ua faturuar mungesën e parave për pensione atyre që nuk e deklarojnë pagën reale.

Por a luftohet informaliteti me aksione? Përvoja dhe përpjekjet e deritanishme kanë treguar që jo.

Të “djegur” nga gabimet e së kaluarës, tashmë qeveria shqiptare duhet ta kishte nxjerrë mësimin se informaliteti luftohet duke krijuar një ambient të përshtatshëm për të bërë biznes, pa ndryshime të përvitshme fiskale dhe që nxit konkurrencën e drejtë, me sistem të thjeshtë tatimor e taksa të ulëta, që stimulojnë pagesat dhe duke hequr të gjitha shtigjet ligjore që rrjedhin nga diferencimet dhe gropat në sistemin tatimor.

Për sa kohë që, tatimi mbi pagat mbi 200 mijë lekë do të jetë 23%, do të ketë gjithnjë tentativë për të kaluar në një regjim tjetër tatimor, ku paguhet më pak.

Askush nuk është në gjendje të thotë sot se sa të ardhura ka humbur buxheti i shtetit nga shtigjet fiskale që mundësoi për kalimin e individëve nga të punësuar në të vetëpunësuar, me taksa pothuajse zero.

Edhe më e rëndësishme është që taksapaguesve duhet t’u kthehet besimi se taksat e tyre në përgjithësi nuk shpërdorohen. Çfarë motivimi ka një punonjës për t’i bërë “presion” punëdhënësit për kontributet, kur e di fare mirë që me pensionin që do të marrë nuk do të arrijë të sigurojë minimumin jetik, apo kur të ketë një problem shëndetësor do të jetë i detyruar që të paguajë nga xhepi përballë një të ardhmeje të pasigurt. Instinktivisht, ai do të zgjedhë të marrë më shumë para sot.

Mbi të gjitha, sa kohë shohim që të korruptuarit, edhe kur futen në burg, apo dënohen, nuk ngarkohen me detyrimin për të paguar borxhin tatimor si për sigurimet dhe për të ardhurat e padeklaruara (pavarësisht burimit), kjo është nxitja më e madhe për informalitet.

Informaliteti nuk luftohet me aksione e kërcënime për ndjekje penale, por me plane veprimi afatgjata, thjeshtëzim të sistemit tatimor, lehtësim të barrës fiskale e përdorim të përgjegjshëm të parave të taksapaguesve. Përndryshe, çdo nismë afatshkurtër do të jetë e destinuar të dështojë, siç ka ndodhur deri më sot.

Apo do të përfundojë me ironinë më të madhe, ku kërcënohen qytetarët me burg, sepse nuk paguajnë dritat, ndërkohë që institucionet shtetërore janë vetë debitorët më të mëdhenj!

Monitor

Video

Kur pa të zonjën të shtrirë në rrugë pas aksidentit, qenushi vetëm 6 muajsh nuk u largua. Ai vrapoi drejt shtëpisë, gjeti bashkëshortin e saj dhe me lehje e tërheqje nga rrobat e bindi ta ndiqte deri në vendin e ngjarjes, duke bërë të mundur që gruaja të merrte ndihmë në kohë. Historia ka bërë xhiron e rrjetit. Lexoni lajmin e plotë në linkun në koment⬇️

Pamje të pazakonta janë regjistruar në qytetin Norfolk, në shtetin amerikan të Virxhinias, ku një burrë u filmua duke lëvizur me jet ski nëpër rrugët e përmbytura pas reshjeve të dendura që goditën zonën të martën. Videoja është bërë virale në rrjetet sociale, duke treguar se niveli i ujit ishte aq i lartë sa rrugët u shndërruan në “kanale”, duke i dhënë drejtuesit të jet ski-t mundësinë të zëvendësonte makinën me mjetin ujor.

Një djalë 12-vjeçar nga Maroku, i pashoqëruar nga familjarë, u shpëtua nga riatdhesimi në qytetin spanjoll të Ceutës, pasi banorët vendas ndërhynë duke theksuar se ai ishte i mitur. Sipas Associated Press (AP), fëmija po qante dhe iu lut ushtarëve spanjollë që të mos e kthenin në Marok. Vetëm pak metra larg kufirit, një nënkolonel i ushtrisë urdhëroi ndalimin e procedurës, ndërsa më pas 12-vjeçari iu dorëzua Gardës Civile Spanjolle. Sipas AP, të miturit përbëjnë një pjesë të madhe të 3.000–5.000 emigrantëve që kanë shmangur dëbimin nga Ceuta, nga rreth 60.000 persona që kanë mbërritur në qytet gjatë valës së migracionit nga Maroku.

Një aksident i rëndë që përfshinte dy tramvaje ndodhi më herët në qytetin perëndimor gjerman të Gelsenkirchen, duke shkaktuar një mobilizim të madh të shërbimeve të emergjencës. Sipas policisë, të paktën 25 persona u plagosën, ndërsa për tre prej tyre nuk mund të përjashtohet rreziku për jetën. Sipas informacioneve fillestare, dy tramvajet po lëviznin njëra pas tjetrës pranë stadiumit Schalke, kur ai përpara u ndal papritur. Ishte një tren stërvitor, i cili ndiqej nga një tramvaj që po kryente një itinerar të rregullt pasagjerësh. Tramvaji i dytë nuk pati kohë të ndalonte dhe u përplas me forcë në pjesën e pasme të trenit të trajnimit, duke rezultuar në dëme të mëdha të të dy automjeteve.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme