
Ish-Presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Rexhep Meta. Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ai ndau dhimbjen e familjes për humbjen e njeriut që e cilësoi si një baba të mrekullueshëm.
Në mesazhin e tij, Meta bëri të ditur se ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet më 2 qershor, në orën 12:00, në vendlindjen e të ndjerit, në fshatin Çepan të Skraparit. Sipas tij, ky vendim është marrë edhe në respekt të amanetit të Rexhep Metës.
Kreu i Partisë së Lirisë falënderoi të afërmit, miqtë dhe dashamirësit për mbështetjen në këtë moment të vështirë për familjen, ndërsa njoftoi se pritjet për ngushëllime do të organizohen një ditë më pas në Tiranë.
Meta sqaroi se detajet lidhur me vendin dhe orarin e saktë të homazheve në kryeqytet do të bëhen publike në vijim, për t’u dhënë mundësi miqve dhe të njohurve të ndajnë dhimbjen me familjen e tij.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka miratuar kërkesën që Ilir Meta të marrë pjesë në ceremoninë mortore, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka konfirmuar se do të marrë masat e nevojshme për shoqërimin e tij gjatë zhvillimit të ceremonisë së varrimit.






















