Histori të harruara 6 Shtator 2025, 19:39 Nga VNA

Shkodra, qyteti simbol i persekutimit komunist në Shqipëri

Ndaje në Whatsapp
Shkodra, qyteti simbol i persekutimit komunist në Shqipëri

“Na shajnë e na poshterojnë, na plasin gjëmën armiq të atdheut! Tradhtare!” këto fjalë të Arshi Pipës në veprën e tij “Nemesis” përmbledhin një nga paragjykimet më të thella të periudhës së pasluftës në Shqipëri. Por kush ishin me të vërtetë ata që u detyruan të largohen nga vendi në vitet 1944-1990? A ishin realisht “tradhtarë të atdheut”, “reaksionarë”, “armiq të popullit” apo thjesht njerëz që kërkonin të shpëtonin nga një regjimi që i përndiqte pa mëshirë? Kjo është historia e Shkodrës, një qytet me tradita të pasura kulturore dhe fetare, që gjatë periudhës komuniste u kthye në arenë të përgjakshme represioni dhe dhune. Në këtë kontekst, rrëfimi i tyre nuk është vetëm dëshmi e vuajtjeve të një populli, por edhe testament i qëndresës së tyre për liri dhe dinjitet.

Nëse ka një qytet që mishëron plagën e thellë të persekutimit komunist në Shqipëri, ai është Shkodra. Qyteti i kulturës, besimit dhe dijes, u godit pa mëshirë nga regjimi totalitar komunist që nga dita e parë e ardhjes në pushtet, në nëntor të vitit 1944. Shkodra u shpall “armike strategjike” nga Sigurimi i Shtetit jo për ndonjë mëkat të sajin, por për vlerat që përfaqësonte: trashëgiminë katolike, elitën intelektuale, traditën qytetare dhe shpirtin e lirë të malësorëve të saj.

Dhuna që synonte të shkatërronte shpirtin

Makineria e dhunës filloi me goditjen sistematike ndaj fesë. Kisha katolike, që për dekada kishte ndriçuar jetën shpirtërore dhe arsimore të qytetit, u godit me egërsi. Ipeshkvij, priftërinj dhe laikë u pushkatuan, u burgosën, u internuan. Kishat u mbyllën, seminarët u shuan, e dhjetëra martirë u flijuan vetëm pse besonin në Zot. Dhuna ndaj fesë në Shkodër tejkaloi çdo përmasë tjetër në vend. Elita intelektuale mësues, shkrimtarë, artistë e profesorë u shënjestrua si armike e regjimit. Librat u sekuestruan, bibliotekat familjare u plaçkitën, dhe çdo shkrim i pavarur u ndalua. Kultura u ndëshkua, jo për cilësinë e saj, por për lirinë që përfaqësonte. Mësues që kishin formuar breza, u shndërruan në “reaksionarë”, ndërsa nxënësit e tyre u ndaluan të ëndërronin.

Sigurimi i Shtetit ishte vegla e tmerrit

Sigurimi i Shtetit ndërtoi në Shkodër një rrjet të dendur survejimi. Lagje të tëra ishin nën vëzhgim të përhershëm. Familjet e njohura si Fishta, Koliqi, Bushati, Shllaku, Çoba, Markagjoni u shpallën “armiq të klasës”. Fëmijët e tyre u mohuan e drejta për arsimim dhe punë, ndërsa shpesh përfunduan në kampe internimi apo burgje

Kampi i Tepelenës, Savrës, Grabjanit, Gradishtës dhe burgjet e Burrelit, Spaçit e Qafë Barit u mbushën me qytetarë shkodranë të rinj, gra e burra që guxuan të shprehnin një mendim ndryshe. Në periudhën 1945-1949, qindra veta u pushkatuan pa gjyq. Zalli i Kirit dhe varrezat e Rrmajit janë ende dëshmi të gjalla të krimeve që duan të harrohen, por s’mund të fshihet.

Të zhdukurit mbeten një dhimbje pa varr

Një nga plagët më të thella të këtij qyteti janë të zhdukurit politikë. Janë njerëzit që u morën natën, nuk u kthyen kurrë, dhe për ta nuk u la as një varr. Familjet jetuan me ankthin e një lajmi që nuk erdhi kurrë. Nuk pati dosje, nuk pati shpjegim vetëm heshtje vdekjeprurëse. Pas dekadash, varrezat masive nisën të tregojnë një histori që kërkon drejtësi. Të zhdukurit nuk janë numra: janë baballarët, vëllezërit, bijtë dhe bijat tona.

Rezistenca: Fjala e lirisë nuk u shua

Megjithatë, në errësirën e kësaj dhune, Shkodra nuk heshti. Nga malet e veriut, grupe rezistence të udhëhequra nga figura si Prek Cali, Jup Kazazi, Llesh Marashi, kundërshtuan pushtetin me armë dhe me ideal. Kjo ishte një rezistencë që regjimi e quajti “reaksionare”, por historia e njeh si përpjekje për të mbrojtur lirinë. Arratisjet u bënë një tjetër formë e qëndresës. Mijëra qytetarë, përfshirë fëmijë e gra, lanë gjithçka pas për të shpëtuar nga vdekja dhe dhuna. Sipas të dhënave të Sigurimit, 924 shkodranë u arratisën nga vendi shumë prej tyre humbën jetën gjatë përpjekjes për të kaluar kufirin. Nëpërmjet guximit të tyre, ata dëshmuan se liria nuk vdes: ajo thjesht mbahet peng përkohësisht.

Emigrantët politikë jo tradhtarë, por shtylla të ndërgjegjes kombëtare

Regjimi i portretizoi të arratisurit si “armiq të popullit”, “kolaboracionistë” dhe “agjentë të huaj”. Por në realitet, ata ishin patriotë, elitë mendimi, njerëz të kulturës dhe besimit që u detyruan të largoheshin për të shpëtuar jetën dhe dinjitetin. Emra si Mit’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Martin Camaj, Eqrem bej Vlora, Abaz Kupi, Tahir Kolgjini e shumë të tjerë u baltosën, por veprat e tyre janë sot gur themeli i identitetit tonë kombëtar.

Në New York, në mërgatën shqiptare, dëgjohen ende zëra si ai i zonjës Mri Mrnacaj, larguar në moshën pesëvjeçare, pasi kulla e familjes iu dogi dhe babai u vra nga regjimi. Ky dhe shumë rrëfime të tjera, si ato të projektuara në iniciativat “Dhe muret kanë veshë, janë pjesë e kujtesës sonë kolektive dëshmi të një dhimbjeje që nuk u shua kurrë.

E vërteta si detyrim moral

Sot, në një kohë kur përpjekjet për zbardhjen e së kaluarës po shtohen, konferenca “Emigracioni Politik Shqiptar 1944-1990” dhe simpoziumi “Shkodra, Kufiri i Shprehjes dhe i Vdekjes”, vijnë si akte kujtese dhe drejtësie. Ato nuk janë thjesht ngjarje akademike, por momente të rëndësishme reflektimi dhe vetëdijesimi. Qëllimi i tyre nuk është vetëm të tregojnë vuajtje, por të rikthejnë dinjitetin e viktimave, të rindërtojnë të vërtetën historike dhe të kërkojnë drejtësi për të zhdukurit dhe të përbalturit.

Ish-Sigurimi i Shtetit, i njohur si “Arma e Partisë”, shërbeu si makineria që shtypi mendimin ndryshe, shkatërroi elitat dhe zhduku me dhunë çdo zë kundërshtues Dokumentet arkivore, dëshmitë dhe statistikat janë sot mjetet që kemi për të rrëfyer atë që për dekada u hesht.

Unë vetë, si një nga ata që ka përjetuar internimin, persekutimin dhe torturën, flas sot jo si viktimë, por si dëshmitar i gjallë. Flas për ata që nuk janë më, për të zhdukurit, për të burgosurit, për të përndjekurit që nuk lanë asgjë pas përveç një kujtese të dhimbshme dhe një kërkese të heshtur: “mos na harroni”.

Të kujtojmë, të flasim, të shërojmë

Ruajtja e kujtesës historike dhe nderimi i atyre që u flijuan janë përgjegjësi e përbashkët. Jo për të nxitur urrejtje, por për të kuptuar rrënjët e dhunës, për të mësuar nga gabimet dhe për të ndërtuar një të ardhme ku asnjë regjim nuk do të mund të vrasë më mendimin, besimin dhe lirinë. Sot, është koha t’u japim zë të mundurve jo si viktima të heshtura të së shkuarës, por si ndërtues të fuqishëm të lirisë sonë kombëtare. Historia e tyre, e mbushur me dhimbje, sakrifica dhe rezistencë, duhet të shërbejë si një burim frymëzimi dhe mësim për brezat që vijnë. Le të jetë kjo kujtesë një fener që ndriçon rrugën drejt një të ardhmoje më të drejtë, ku liria dhe dinjiteti të jenë themeli i çdo shoqërie. Vetëm duke njohur dhe përballur të kaluarën, mund të ndërtojmë një komb të bashkuar dhe të fortë.

 

Burimi : Autoriteti i Dosjeve 

 

Shkodra nën Persekutimin Komunist: Kujtesë, Dëshmi dhe Qëndresë. Fjala e mbajtur nga Gjergj Marku në simpoziumin “Kufiri i Shpresës dhe i Vdekjes në vitet 1944–1991 – Shkodra përballë të kaluarës”, në Shkodër.

 

 

Lexo gjithashtu

Video

Mesditën e së dielës, në lagjen nr. 15 të qytetit të Durrësit, një përplasje mes dy familjeve ka përfunduar me dy persona të plagosur. Mësohet se dy familjet, të cilat banonin pranë njëra-tjetrës, u përfshinë në një konflikt fizik dhe si pasojë, dy persona mbetën të plagosur. Ata u dërguan në urgjencën e spitalit rajonal të Durrësit, ku njëri prej tyre ishte goditur me thikë, ndërsa tjetri kishte marrë dëmtime nga sende të forta. Autori i dyshuar u largua menjëherë nga vendngjarja, ndërsa policia po kryen ndjekje për kapjen e tij dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. https://www.vna.al/kronika/konflikti-mes-fqinjeve-ne-durres-perfundon-me-dy-te-plagosur-i14195

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Prekal të Shkodrës, janë përfshirë nga flakët dhe janë djegur plotësisht dy automjete tip “Benz” dhe “Range Rover”, në përdorim nga shtetasi E. N., 35 vjeç. Mjetet ndodheshin të parkuara në rrugë, pranë banesës së tij. Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se zjarri është vendosur qëllimisht. https://www.vna.al/kronika/nje-35-vjecari-ne-shkoder-i-djegin-dy-makinat-luksoze-prane-baneses-i14192

Ekstradohet Soni Pepa nga Republika Domenikane drejt Shqipërisë. Ai ishte në kërkim për trafik kokaine dhe ishte pjesë e klanit kriminal Çopja. https://www.vna.al/kronika/u-arrestua-ne-republika-domenikane-soni-pepa-ekstradohet-drejt-shqiperis-i14182

? Elefantët mund ta gjejnë ujin përmes nuhatjes Sipas një studimi të ri, elefantët afrikanë kanë një aftësi të jashtëzakonshme për të lokalizuar ujin duke përdorur vetëm nuhatjen e tyre. Studiuesit kryen dy eksperimente me elefantë gjysmë të zbutur për të përcaktuar nëse vetëm sinjalet e nuhatjes mund t’i drejtonin drejt burimeve të ujit. Në teste, elefantët zgjidhnin vazhdimisht ujin nga burime natyrale dhe artificiale në vend të ujit të distiluar, duke treguar se ata mund ta dallonin ujin përmes erës. Për më tepër, ata mund të dallonin tre komponime organike të paqëndrueshme (VOC) që shpesh lidhen me ujin — geosmina, 2-metilizoborneoli dhe dimetil sulfuri — edhe pse këto komponime nuk ishin të pranishme në mostrat e ujit të përdorura në studim. Kjo sugjeron se elefantët po zbulojnë komponime të tjera të paqëndrueshme, ndoshta më komplekse ose më të njohura për ta, për të njohur ujin. Aftësia e tyre për ta bërë këtë në distanca të shkurtra tregon për një përshtatje evolutive për të mbijetuar në mjedise ku uji është i pakët dhe ndonjëherë i fshehur.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme