Histori të harruara 26 Gusht 2025, 09:03 Nga VNA

Gjenerali Enriko Telini: Dëshmori që Greqia e vrau për kufirin shqiptar dhe që Shqipëria e sotme e ka harruar

Ndaje në Whatsapp
Gjenerali Enriko Telini: Dëshmori që Greqia e vrau për kufirin

Enriko Telini: Dëshmori i kufirit të Shqipërisë

Më 27 gusht, këtu e 102 vjet të shkuara, në kufirin jugor të Republikës së Shqipërisë, vritet gjeneral Enriko Telini (Enrico Tellini), dy ditë pasi kish mbushur 52 vjeç. Në fakt, datat 25 gusht dhe 27 gusht të çdo viti në Shqipëri duhet të jenë data përkujtimesh dhe falënderimesh që populli dhe institucionet shqiptare duhet t’ia blatojnë gjeneralit italian Telini.

Gjenerali Telini u emërua nga Konferenca e Ambasadorëve kryetar i Komisionit Ndërkombëtar Kufipërcaktues ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij grek, një punë e lënë në mes nga kjo Konferencë prej vitit 1914. Paqartësia e kufirit nga viti 1914 deri kur filloi punën Komisioni, me Shqipërinë shtet të shpallur të pavarur rreth 10 vite më parë, kishte krijuar avantazh për shtetet fqinje për të cenuar kufirin dhe territorin e Republikës së Shqipërisë. Komisioni që në fillim hasi pengesa të drejtpërdrejta nga Greqia dhe Serbia dhe puna e tij sa fillonte, ndërpritej. Në këto rrethana, falë këmbënguljes së gjeneral Telinit, Komisioni arriti të fillonte e të kryente punën e tij.

Shtypi grek e cilësoi “armik të Greqisë”; ushtarët grekë në Korçë u përpoqën ta frikësonin duke hyrë përdhunshëm në zyrat e Komisionit. Tërbimi grek shtohej sa më shumë fshatra, male e qytete shqiptare i mbeteshin Shqipërisë. Ajo që duket se caktoi fatin e Telinit ishte perspektiva që brenda kufirit shqiptar të mbetej e gjithë Çamëria Veriore. Sipas diplomatit dhe historianit italian Renco Falaski, gjeneral Telini që e njihte fare mirë mjedisin, “nuk nguroi të pranonte kërkesat e drejta të shqiptarëve, që sipas bindjes së tij brenda shtetit shqiptar duhej të mbetej edhe Janina e më përtej saj”. (I. D. Hoxha, “VKSH në Sh. Gr., 59).

Ndershmëria, drejtësia dhe serioziteti i kryerjes së detyrës bënë që më 27 gusht, në Zepë, të ngrihej prita dhe të vritej gjeneral Telini me shoqëruesit e tij. Komisioni Hetimor Ndërkombëtar, i ngritur posaçërisht me atë rast, vërtetoi se organizatore e vrasjes dhe vrasëse ishte vetë qeveria greke, që u ndëshkua edhe me pagimin e një shume tejet të madhe që iu ngarkua si dëmshpërblim.

Nuk është e tepërt të thuhet se gjeneral Telini derdhi gjakun për kufirin e shtetit shqiptar. Vrasja e tij, pavarësisht atij farë ndëshkimi që mund të ketë marrë qeveria greke, më tepër ndëshkoi Shqipërinë me caktimin e një kufiri më të padrejtë. Problemet me kufijtë dhe presionet për dorëzim territoresh e detrash Shqipëria bashkë me Kosovën i kanë edhe sot të pranishme. Por në ditët e sotme nuk gjendet më një general i tillë që të arbitrojë me ndershmëri, drejtësi e seriozitet. Kaq i rëndësishëm dhe vyer është për Shqipërinë e shqiptarët gjeneral Telini.

Në nder të Telinit, në vitin 1933 në Tiranë iu vendos emri i tij një rruge, që u pagëzua “Shëtitorja Telini”, dhe u ngrit edhe një bust. Në vitin 1941 përurohet po në Tiranë shtatorja e tij, e punuar nga mjeshtri i skulpturës Odhise Paskali. Aty ku sot është Akademia e Shkencave, rruga nuk e ka më këtë emër, edhe shtatorja nuk ekziston më. Ato u hoqën në 1947 nga pushteti komunist. Shtatorja u shkri në fonderi, duke dëmtuar kështu edhe një vepër arti, përveçse një vepër që nderonte dëshmorin e kufirit shqiptar.

Qëndrimi antishqiptar i pushtetit komunist vijon të ndiqet me besnikëri edhe nga pushtetarët dhe institucionet shqiptare të sotme. 100-vjetori i vrasjes së gjeneral Telinit (para dy vitesh) kaloi në heshtje, me disa artikuj botuar në disa gazeta ditore në Shqipëri, por më shumë u shkrua në shtypin e Kosovës.

Sot e përkujtojmë me një artikull modest në VNA, por me nderim të thellë e të pakufi gjeneral Telinin. Do të duhej të organizoheshin të tjera aktivitete përkujtuese shumë më të mëdha nga institucionet shqiptare. Nderi e do që të rikthehet emri dhe shtatorja e gjeneral Telinit aty ku kanë qenë, dhe pse jo të vendosen të tilla në kufirin që ai mbrojti. Por kryeministri ynë është i zënë me përkuljen në gjunjë para kryeministres italiane, që Shqipërisë i ka bërë “nderin e madh të dhurimit” të një kampi refugjatësh që Italia nuk i do për vete, duke e nëpërkëmbur keq shtetin shqiptar. Në fakt, përkuljen e meriton ky gjeneral, mbrojtës i kufirit tonë.

Lexo gjithashtu

Video

Rama është modest. Ai është “bujari” i vërtetë. Se i ka dhënë tokën e pronarëve Arbër Hajdarit për 1 euro

Gjatë vizitës së tij në Pekin, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u prit me entuziazëm nga qytetarët kinezë. Një moment që tërhoqi vëmendjen e mediave dhe të publikut ishte kur Macron vrapoi për t’i përshëndetur ata personalisht, duke treguar afërsinë dhe respektin ndaj njerëzve që e pritën. Ky episod simbolik thekson lidhjet gjithnjë e më të forta mes Francës dhe Kinës, si dhe përpjekjet e të dyja vendeve për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe politik.

Ceremonia e shortit të Kampionatit Botëror përfundoi me një moment të pazakontë, ku presidenti amerikan Donald Trump u pa duke vallëzuar këngën ikonike YMCA, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe të pjesëmarrësve.

Një aligator gjigant, i gjatë rreth 4.3 metra (14-foot) dhe me peshë rreth 272 kg (600 paund), shkaktoi bllokim të trafikut në Florida, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe drejtuesve të automjeteve. Një kapës i specializuar për kafshë të egra, së bashku me tetë zyrtarë policorë, ndërhynë për të larguar aligatorin nga rruga dhe për të siguruar kalimin e automjeteve në mënyrë të sigurt.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme