Histori të harruara 22 August 2025, 19:44 Nga VNA

Përkujtohen viktimat e kampit të Valiasit, si zhdukeshin foshnjat që u merreshin nënave me forcë

Ndaje në Whatsapp
Përkujtohen viktimat e kampit të Valiasit, si zhdukeshin foshnjat

Në kuadër të 23 Gushtit, Ditës Europiane të Kujtesës për Viktimat e Regjimeve Totalitare, Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit përkujtoi viktimat e kampit të internimit në Valias, në periferi të Tiranës.

Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, ndau për publikun të dhëna të nxjerra nga dokumentet arkivore, ku për herë të parë përdoret zyrtarisht termi kamp përqendrimi për Valiasin. Ajo theksoi se kampi u ngrit fillimisht në vitin 1945 për robërit e luftës, por në vitet që pasuan u kthye në vend internimi për qindra civilë shqiptarë, ku kulmin e arriti në vitin 1950 me rreth 800 të internuar, gjysma prej tyre fëmijë ose foshnja.

“Dokumentet tregojnë se kampi i Valiasit është ngritur në vitin 1945 si kamp për robërit e luftës, pra për okupatorin. Në vitin 1950 ky kamp arriti kulmin me 800 të internuar, prej të cilëve një në dy ishte fëmijë, ose foshnjë e që megjithëse si shifër kapin numrin e një shkolle, nuk patën mundësi të shkojnë në shkollë, por u rritën mes urisë, sëmundjeve dhe frikës. Aty kishte vetëm një pus me ujë të turbullt dhe të dënuarit vuanin nga dizanteria, dhe tregojnë për kasolle balte e fëmijë që humbën jetën”, u shpreh Sula.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Ethem Fezollari, kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë dhe vetë i mbijetuar i kampit. Ai solli dëshmi rrëqethëse nga përvoja e tij si fëmijë i internuar.

“Kam qenë 6 vjeç kur u internova për 3 vjet e gjysmë në Valias. Aty silleshin gra shtatzëna dhe me fëmijë të mitur, dhe kam parë me sytë e mi sesi foshnjat u merreshin nënave me forcë dhe zhdukeshin. Unë nuk besoj se ata fëmijë u vranë, por mendoj se u tjetërsuan, u rritën nga regjimi dhe u kthyen kundër vetë familjeve të tyre,” tha ai.

Gjatë aktivitetit u shfaq edhe një dokumentar i përgatitur nga Autoriteti i Dosjeve, që solli dëshmi të mbijetesës, dokumente arkivore dhe pamje të rralla, duke hedhur dritë mbi një nga kampet më pak të dokumentuar të diktaturës komuniste në Shqipëri.

 

Lexo gjithashtu

Video

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme