Histori të harruara 16 Gusht 2025, 08:04 Nga VNA

Procesverbali i pushkatimit të tre “sabotatorëve të naftës”: Pasi u çuan në vendin e ekzekutimit, u njoftuan nga zv.Prokurori Përgjithshëm se kërkesa për faljen e jetës u refuzua

Ndaje në Whatsapp
Procesverbali i pushkatimit të tre “sabotatorëve të

Që nga fundi i nëntorit të vitit 1944 kur erdhi zyrtarisht në pushtet, e deri sa vdiq në vitin 1985, diktatori komunist Enver Hoxha, duke dashur që t’i ngjante idhullit të tij, Josif Visaranoviç Stalinit dhe duke ndjekur “rrugën” e tij, hera herës ndërmerrte spastrime në udhëheqjen e lartë të PPSH-së, gjë të cilën praktikisht e kishte filluar që nga viti 1941, me Anastas Lulën e Sadik Premten, e vazhdoi me Koci Xoxen (dhe grupin e tij) në vitin 1948-’49 dhe e mbaroi në vitin 1981-’82, me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut”. Në këtë interval kohor prej më se katër dekadash, siç dihet tashmë, ai eliminoi pothuaj të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe drejtuesit kryesorë të ashtuquajturës “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”, aq sa nga viti 1960 e, deri në shembjen e regjimit komunist në 1990-ën, vetëm Pilo Peristeri kishte shpëtuar nga burgu apo internimi, duke iu gëzuar privilegjeve si kandidat i përjetshëm i Byrosë Politike dhe funksionit të drejtorit të Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”!

Por, ndryshe sa kishte bërë deri në fillimin e viteve ’70-të, ku “shpata” e Enver Hoxhës kishte rënë kryesisht mbi udhëheqjen e lartë të PKSH-së, (Koci Xoxe, Kristo Themelko, Sotir Vullkanim Ramadan Çitaku, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri Gega, Gjin Marku, Koço Tashko, Liri Belishova, etj.), të cilët ai i kishte akuzuar për “devijatorë të vijës së Partisë” dhe i kishte dënuar si “tradhtar dhe armiq të popullit”, në mesin e viteve ’70-të, diktatori Enver Hoxha filloi goditjen edhe ndaj disa anëtarëve të Byrosë Politike, që mbanin edhe poste ministrore, si Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi,  duke i akuzuar ata edhe si “sabotatorë” të Ekonomisë Socialiste”!

Dhe ashtu siç kishte bërë me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon, (të cilët u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan), ku për të vërtetuar “veprimtarinë e tyre armiqësore”, Enver Hoxha dënoi me burgje dhe internime edhe një grup të madh oficerësh madhorë, edhe me të ashtuquajturin “Grupi sabotator i Ekonomisë”, ku përveç Këllezit dhe Theodhosit, bënin pjesë edhe dy ministrat Kiço Ngjela e Vasil Kati, u akuzuan dhe u dënuan edhe disa funksionarë të lartë të sektorit të Tregtisë, drejtorë e specialist të njohur, siç ishin Andrea Manço, Ahmet Jegeni, Bardhyl Frashëri etj., si dhe të sektorit të Naftës, si; drejtues, inxhinierë e specialist të njohur, si; Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Nuredin Skrapari, etj.

Siç do të shohim edhe në dokumentet në fjalë, procesin hetimor ndaj ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor e sabotator i Ekonomisë”, që kishte realizuar Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, me akuza të montuara dhe dëshmi të rreme apo të marra nën torturë, etj., e vazhdoi edhe Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë me në krye Aranit Çelën, duke i “kanalizuar” akuzat edhe nga ana “juridike”, për të “vërtetuar” ato që kishte thënë Enver Hoxha në Plenumet e Komitetit Qendror të PPSH-së, ndaj Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit etj.

Sa më sipër për të gjithë këta, pas viteve ’90-të, është folur dhe shkruar shumë, si nga pjesëtarë të atyre “grupeve”, familjarë të tyre, etj., etj., Memorie.al ka siguruar dokumentet arkivore të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë të asaj kohe dhe ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku është marrë në shqyrtim “Grupi armiqësor i Ekonomisë”, “Tregtia” dhe “Nafta”, të cilat shohin dritën e botimit për herë të parë, dokumente të cilat po i publikojmë në disa numra, bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.

Në pjesën e parë dhe të dytë të këtij cikli shkrimesh, publikuam dokumentet ku bëhej fjalë për ish-drejtorit të Makinaimportit, Andrea Manço me origjinë nga fshati Boboshticë e Korçës, vëllai i të cilit Todo Manço, për vite me rradhë kishte shërbyer si kryeinxhinier dhe drejtor i minierës së kromit të Bulqizës, e gjithashtu për disa legjislatura me rradhë edhe deputet i Kuvendit Popullor, i cili kur u nda nga jeta më 6 nëntor 1974, iu bë një ceremoni madhështore mortore, me homazhe në qendër të Tiranës, ku përveç Enver Hoxhës, mori pjesë e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së, me në krye kryeministrin Mehmet Shehu.

Ndërsa Todo Manços, (“Hero i Punës Socialiste”) do t’i bëheshin gjithë këto nderime, vëllai i tij, Andrea, afro dy vjet më pas, do të torturohej në qelitë e Sigurimit të Shtetit dhe do të dënohej me vdekje, me pushkatim, si “armik i popullit” dhe “agjent i agjenturave të huaja”, e varri i tij, ende nuk është gjetur! Ndërsa në këtë shkrim, po publikojmë dokumentet ku bëhet fjalë për të ashtuquajturin “Grupi armiqësor në naftë”, me në krye kuadrot dhe inxhinierët e njohur, Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Dhimitër Stefa, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Nuredin Skrapari, Jani Konomi etj., si dhe proces-verbalin e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, ku është marrë në shqyrtim kërkesa e të dënuarve me vdekje, Koço Plaku, Andrea Manço dhe Milto Gjikopulli, për t’ju falur jeta.

RELACIONI I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, DËRGUAR DREJTORISË SË HETUESISË DHE PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM, ME URDHRIN E MINISTRIT KADRI HAZBIU, PËR EKZEKUTIMIN ME PUSHKATIM, TË TRE TË DËNUARVE ME VDEKJE, KOÇO PLAKU, MILTO GJIKOPULLI DHE ANDREA MANÇO

 REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE                                           SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                   Ekzemplar i vetëm

                                                                                                Tiranë, më 28.6.1976

LËNDA: Mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim), të tre të dënuarve.

MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME

DREJTORISË SË HETUESISË

Për njoftim: PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM TË RPSSH

TIRANË – Në bazë të vendimit Nr. datë 20.5.1976 dhe vendimit nr. 13 datë 17.6.1976 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të RPSSH, janë dënuar me vdekje (pushkatim), personat e poshtëshënuar:

Andrea Manço

Koço Plaku

Milto Gjikopulli

Meqenëse Presidiumi i Kuvendit Popullor, me shkresën Nr. 400 datë 26.6.1976, njofton refuzimin e kërkesës për faljen e jetës së tyre:

                         URDHËROJ: 

Të dënuarit Andrea Kristaq Manço, Koço Josif Plaku, dhe Milto Vasil Gjikopulli, të ekzekutohen me vdekje (pushkatim) në vendin e caktuar në datën 28.6.1976 ora 24.00.

Për ekzekutimin e të dënuarve, ngarkoj Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë.

Para se të ekzekutohen, të njoftohen të pandehurit, se kërkesa e tyre për faljen e jetës, është refuzuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Mbas ekzekutimit, i ngarkuari me këtë detyrë të bëjë proçes-verbalin e ekzekutimit të vendimit me fjalën e fundit të të ekzekutuarve, veçmas për secilin, dhe ti dërgohet Drejtorisë së Hetuesisë.

                  MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

                                 Kadri Hazbiu

RELACIONI I ZV. DREJTORIT TË DREJTORISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS, KADRI GOJASHI, DËRGUAR MINISTRISË SË BRENDSHME DHE DREJTORISË SË HETUESISË, MBI PUSHKATIMIN E TRE TË DËNUARAVE ME VDEKJE, KOÇO PLAKU, MILTO GJIKOPULLI DHE ANDREA MANÇO

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                       Sekret

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                Ekzemplar Nr. 1

DREJTORIA E PUNËVE TË BRENDSHME                Tiranë, 2.7.1976

E përkohshme 2 vjet

                              MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME

                                   DREJTORISË SË HETUESISË

                                           (Degës së I-rë)

                                              Tiranë

Bashkëngjitur me këtë shkresë ju dërgojmë 2 kopje të procesverbalit mbi ekzekutimin e të dënuarve me vdekje, me pushkatim : Koço Plaku, Milto Gjikopulli, dhe Andrea Manço, të çilët u ekzekutuan në datën 28.6.1976 në orën 24.00 sipas urdhrit të Ministrit, Nr. 552/1, datë 28.6.1976

ZËVENDËSDREJTORI I PUNËVE TË BRENDSHME

                           (KADRI GOJASHI)

                                                                     PROÇES-VERBAL

I mbajtur në Tiranë, datë 28.6.1976, nga unë Kadri Gojashi, Koço Josifi, duke asistuar Zv.Prokurori i Përgjithshëm shoku Sotiraq Samara, dhe mjeku Nevrat Vigani, mbi ekzekutimin e të dënuarve me vdekje, me pushkatim, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, dhe Adrea Manço.

Në bazë të urdhrit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Nr. 552/1, datë 28.6.1976, po në datën 28.6.1976, në orën 24.00, u morën nga dhomat e izolimit të Repartit 313 Tiranë, të dënuarit me pushkatim:

1) Koço Plaku, i biri i Josifit, i dt 1929, lindur në Hoçisht të rrethit Korçë dhe banues në Fier. Dënuar nga Gjykata e Lartë me vendim Nr.13 datë 27.6.1976 me vdekje, me pushkatim.

2) Milto Gjikopulli, i biri i Vasilit, dt 1930, lindur në Dhërmi dhe banues në Fier. Dënuar nga Gjykata e Lartë me vendimin Nr.13 datë 17.6.1976 me vdekje, me pushkatim,

3) Andrea Manço, i biri i Kristaqit, datë 1923, lindur në Boboshtiçë të rrethit Korçë, banues në Tiranë. Dënuar nga Gjykata e Lartë me vendim Nr.11 datë 28.5.1976 me vdekje, me pushkatim.

Të pandehurit pasi u çuan në vendin e ekzekutimit, u njoftuan nga Zv. Prokurori i Përgjithshëm, shoku Sotiraq Samara, se kërkesa e tyre për faljen e jetës, u refuzua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, me vendim Nr.381/1, datë 28.6.1976 dhe u tha të dënuarve, se çfarë kishin për të thënë.

I dënuari Koço Plaku, në fjalën e tij tha; “Për të gjitha jam fajtor, por spiun nuk jam”.

Ndërsa të dënuarit Milto Gjikopulli dhe Andrea Manço, nuk folën fare.

Mbasi u krye ekzekutimi dhe mbasi mjeku asistoi vdekjen, u bë groposja.

Proces-verbali u përpilua në 3 kopje, nga të çilat 2 kopje ju dërguan Drejtorisë së Hetuesisë, dhe 1 kopje u mbajt në arkivin e Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë./ 

ZV. DREJTORI I DPB TIRANË        ZV. PROKURORI I PËRGJITHSHËM

       Kadri Gojashi                                      Sotiraq Samara

 ZV. PROKURORI I PËRGJITHSHËM              HETUESI

     Sotiraq Samara                                            Koço Josifi                                      

                                            MJEKU

                                      Nevzat VIGANI

 

Memorie.al 

 

 

Lexo gjithashtu

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme