Fëmijë të helmuar, dyshime për ujë të kontaminuar me baktere dhe banorë të një lagjeje që shfaqin të njëjtat shqetësime shëndetësore. Kjo është situata në Vlorë, ku ngjarja në kopshtin nr. 10 ka nxjerrë në pah jo vetëm problemet me cilësinë e ujit, por edhe përgjegjësinë e institucioneve që duhet të garantojnë sigurinë e fëmijëve.
Informacionet paraprake flasin për prani të lartë bakteresh në tubacione dhe depozita, dyshime për ndotje nga ujërat e zeza dhe mungesë klorifikimi. Ndërkohë, strukturat vendore të shëndetit publik kanë deklaruar se ndotja lidhet me depozitat dhe se analizat e ujit të rrjetit janë në rregull.
Por edhe nëse problemi ka ardhur nga depozita e kopshtit, kjo nuk e përjashton Bashkinë Vlorë nga përgjegjësia. Përkundrazi, ngre pyetjen se kush duhej ta kontrollonte dhe mirëmbante atë.
Kopshti nr. 10 është institucion publik nën administrimin e bashkisë. Ligji nr. 139/2015, në nenin 23, i ngarkon pushtetit vendor përgjegjësinë për administrimin e kopshteve, mirëmbajtjen e godinave arsimore dhe shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm e kanalizimeve.
Edhe VKM nr. 379/2016, për cilësinë e ujit të pijshëm, përcakton detyrime për garantimin e sigurisë së ujit, përfshirë rastet e furnizimit përmes depozitave.
Pra, nuk mjafton të thuhet se fajin e kishte depozita. Kush e kishte në administrim? Kush ishte përgjegjës për pastrimin dhe dezinfektimin e saj? Kur është kryer kontrolli i fundit dhe kush ka garantuar se uji që përdornin fëmijët ishte i sigurt?
Këto pyetje shkojnë drejtpërdrejt te Bashkia Vlorë dhe kryetarja Brunilda Mersini.
Madje, dokumentet e vetë bashkisë tregojnë se kopshti nr. 10 kishte qenë objekt i planeve për rehabilitim që në vitin 2024. Në qershor 2025, bashkia shpalli edhe një procedurë për marrjen me qira të ambienteve për këtë kopsht, duke përfshirë mes kritereve ekzistencën e depozitës së ujit dhe funksionimin e kanalizimeve.
A janë kontrolluar këto kushte pas vënies në funksion të ambienteve? A ka dokumente që vërtetojnë mirëmbajtjen dhe analizat periodike të ujit?
Në këtë histori përgjegjësia nuk i takon vetëm bashkisë. Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë, ku shteti zotëron shumicën e aksioneve dhe Bashkia Vlorë është aksionere, ka detyrimet e saj për funksionimin e rrjetit dhe furnizimin me ujë. Edhe autoritetet shëndetësore kanë përgjegjësi për monitorimin dhe identifikimin e rrezikut.
Por Brunilda Mersini drejton institucionin që administron kopshtin ku fëmijët u sëmurën. Ligji i ngarkon kryetares së bashkisë drejtimin dhe mbikëqyrjen e funksioneve bashkiake. Nëse ka pasur neglizhencë në mirëmbajtje apo kontroll, kjo duhet të verifikohet dhe përgjegjësit të identifikohen.
Ndërkohë, fakti që shqetësime shëndetësore janë raportuar edhe te banorë të lagjes e bën të domosdoshëm një hetim më të gjerë për cilësinë e furnizimit me ujë në zonë.
Brunilda Mersini duhet t’u përgjigjet prindërve të fëmijëve të kopshtit nr. 10: kush e kontrollonte ujin, kush duhej ta mirëmbante depozitën dhe çfarë ka bërë Bashkia Vlorë për të parandaluar një ngjarje të tillë?
Sepse është e lehtë t’ia lësh përgjegjësinë një depozite uji. Por depozitat nuk pastrohen vetë, analizat nuk bëhen vetë dhe institucionet publike nuk administrohen vetë.






















