Kronika 18 July 2025, 15:59 Nga VNA

Grabitja në shtëpinë e vartëses së Jonaid Myzyrit: Para të emigrantëve apo të korrupsionit

Ndaje në Whatsapp
Grabitja në shtëpinë e vartëses së Jonaid Myzyrit: Para

Verën e vitit 2020, një skuadër prej gjashtë vetash, të gjithë të armatosur dhe të veshur me rroba kamuflazhi, që lëviznin me një furgon, zbarkuan në derën e shtëpisë së G. Skejës, në fshatin Dorëz të Librazhdit. Me pretendimin se ishin policia, ata hynë në shtëpi dhe ushtruan kontroll. Të gjithë ishin të armatosur dhe dukeshin me përgatitje ushtarake. Në vetëm pak minuta, ata arritën të merrnin një shumë prej më shumë se 200 mijë eurosh dhe u larguan.

Pas denoncimit të familjes, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Elbasanit nisën hetimet për grupin kriminal që kishte realizuar grabitjen me armë. Djemtë e familjes pretendonin se paratë ishin siguruar nga puna në emigracion, në Britaninë e Madhe.

Policia, në atë kohë, mori dëshmi dhe sekuestroi kamerat e sigurisë, por ngjarja edhe sot nuk ka një autor. Aktualisht, dosja e grabitjes me armë ndodhet në Policinë e Shtetit.

Dyshimet ranë atëherë mbi grupin e Talo Celës, i cili kishte realizuar bashkë me Admir Muratajn – i vrarë gjatë përplasjes me armë me policinë – megagrabitjen e aeroportit të Rinasit. Por prova ndaj tyre nuk u gjetën asnjëherë.

Ngjarja është rikthyer së fundmi në vëmendje pasi Lindita Skeja, zyrtare e Komisionit të Prokurimeve Publike dhe e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, bashkë me titullarin e institucionit Jonaid Myzyri, është përgjuar teksa bisedon me nënën për grabitjen. Lindita Skeja është vajza e G.Skejës, personit që denoncoi vjedhjen e 200 mijë eurove. Ja çfarë bisede zhvillon ajo me nënën e saj:

“Ça ka lidhje puna ime, o nanë? Ajo puna ime që për me ashtu, po ata na kishin piketuar… do vinin e do të vrisnin…”, dëgjohet të thotë Lindita Skeja në bisedë me nënën.

Dyshimet lindin se vjedhja e shumës prej rreth 200 mijë eurosh mund të mos ketë qenë produkt i kursimeve të familjarëve të saj në Angli, por rezultat i përfitimeve të paligjshme të saj si vartëse e Jonaid Myzyrit. SPAK, përmes përgjimeve, ka në dorë një të dhënë të re që mund të shërbejë si pistë hetimi për burimin e vërtetë të shumës së madhe të parave të gjetura në shtëpinë e Lindita Skejës.

SPAK ka kërkuar nga Prokuroria e Elbasanit administrimin e kësaj dosjeje, por institucioni i akuzës e ka informuar se fashikujt ndodhen ende në Policinë e Shtetit.

Hetimi i rastit në fjalë është veçuar nga dosja e Jonaid Myzyrit, kreut të KPP-së, i cili është i pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe me vendim gjykate është pezulluar nga detyra. Nuk përjashtohet që mbi vartësen e Myzyrit, por edhe mbi vetë atë, të ngrihet një akuzë e re. Tashmë, SPAK ka në dorë një drejtim të ri hetimi që lidh paratë e grabitura në vitin 2020 me veprimtarinë e dy zyrtarëve të lartë të Komisionit të Prokurimeve Publike.

Në fakt, ky nuk do të ishte as rasti i parë kur në shtëpitë e zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar grabiten shuma të mëdha parash në cash. Edhe pse disa prej tyre nuk kanë bërë zhurmë dhe kanë zëvendësuar në heshtje paratë e humbura, ky është një rast që kërkon hetim të thelluar dhe të ftohtë për të kuptuar nëse hajdutët në shtëpinë e Lindita Skejës kanë marrë paratë e emigrantëve apo ato të përfituara nga korrupsioni.

Video

Elektriçistët po vdesin në shtyllat e OSHEE-së: tre viktima në pak muaj dhe ende asnjë përgjegjësi

Elektriçistët po vdesin në shtyllat e OSHEE-së: tre viktima në pak muaj dhe ende asnjë përgjegjësi

Aksidentet rrugore në rritje, siguria në shkolla fillon nga siguria në rrugë

“Pse nuk takon qytetarët, por administratën?” Rama mbyll takimin me qytetarët por qytetarët që kërkuan t’i flisnin përfunduan në polici. Video: Disidentët

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme