Politika 25 Prill 2025, 18:10 Nga VNA

Fushatë me asfalt për votat e fshatrave të Matit

Ndaje në Whatsapp

Dhjetra kantiere ndërtimi për shtrimin e rrugëve të fshatrave janë hapur në prag të fushatës me fonde të bashkisë Mat, ku lufton për një vend në Parlament edhe ish-kryetari i kësaj bashkie, Agron Malaj.

Ekskavatorët dhe makineritë e rënda janë zotërit e rrugës që të çon drejt Frankthit, një fshat që shtrihet mbi kodrat e gjelbërta dhe rrethohet nga përrenj të pastër, vetëm pak kilometra larg qytetit të Burrelit në bashkinë e Matit.

Qetësinë e peizazhit e prishin vetëm zhurmat e makinerive që punojnë për asfaltimin e rrugës një të premte prilli. Për banorët e fshatit, kjo është zhurma e mirëpritur prej dekadash.

Në atë që mund të quhet shesh i fshatit, ku disa makina dhe një motor janë parkuar keqazi, burrat po flasin për politikë.  Ata janë ndarë në dy kampe; skeptikët që e shohin asfaltin e ri si një mjet për të ndikuar votën e tyre dhe entuziastët, që i thurin elozhe kandidatit socialist që bëri të mundur investimin.

“Po nuk pati punë, çfarë na duhet rruga,” thotë Flori Lika, 22 vjeç, i cili ishte dyshues edhe për cilësinë e asfaltit të hedhur. “Do prishet pa ardh dimri,” shton ai.

“E bëjnë për fushatë,” thotë gjithashtu Et’hem Kërtuka, një 64 vjeçar i papunë. Por i pyetur nëse rruga do e ndikonte votën e tij në zgjedhje, ai shtoi me humor: “sa na kanë rrejtur, do t’i rrejmë dhe na”.

Përgjigja e 64-vjeçarit nuk i pëlqeu fort kushëririt të tij, Agron Kërtuka.

“Pse nuk i thua hallall atij që e vë një gur?” iu drejtua ai Et’hemit. “Kjo është ëndrra 100-vjeçare e këtij fshati dhe duhet të jemi falenderues për atë që e bëri,” shtoi ai.

Falenderimet shkojnë në drejtim të një njeriu; kandidatit për deputet të Partisë Socialiste në qarkun e Dibrës, Agron Malaj, i cili deri më 11 mars ishte kryetar i bashkisë Mat, detyrë të cilën e mbante që nga qershori 2019.

Para se të jepte dorëheqjen për të kandiduar në zgjedhje, bashkia e drejtuar nga Malaj zhvilloi në dhjetor 2024 një tender për shtrimin e rrugëve të 17 fshatrave me një vlerë totale 330 milionë lekë, të cilat do angazhojnë grantet dhe të ardhurat e kësaj bashkie për tre vitet në vijim. Tenderi u fitua nga bashkimi i operatorëve “ZDRAVA”  e “SALILLARI”, makineritë e të cilave i sheh pothuaj në çdo rrugë fshati rreth e rrotull Burrelit në këto ditë të fushatës elektorale.

Përfaqësuesit e opozitës e denoncojnë këtë tender si të bërë për qëllime elektorale.

Basir Çollaku, gazetar në profesion dhe kandidat për deputet i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” i tha BIRN në kafenenë e ish-hotel Turizmit në qendër të Burrelit se ka hyrë në një fushatë të pabarabartë.

“Po përdoren fondet dhe investimet e bashkisë për fushatë, ja shikojeni vetë me sy,” tha Çollaku duke drejtuar dorën në sheshin përballë hotelit, ku 2-3 punëtorë po shtrojnë pllaka.

Çollaku thotë se kjo është një fushatë ku luhet me “mjerimin ekonomik të zonës dhe me presionin e një vendi pune”.

“Në çdo takim që kam, njerëzit kërkojnë ujë, drita dhe rrugë dhe kundërshtari politik po përdor fondet publike në këmbim të votës,” shtoi ai.

Ish-kryebashkiaku Malaj, aktualisht kandidat i Partisë Socialiste, i zhvlerësoi akuzat dhe këmbënguli se investimet e nisura nga bashkia nuk kishin lidhje me fushatën elektorale.

“Atë punë kanë që të ngrenë akuza,” i tha Malaj BIRN-it nëpërmjet një bisede telefonike. “Gjithçka është konform kodit zgjedhor,” shtoi ai, duke theksuar se fondet e bashkisë për rrugët e fshtatrave janë një projekt i miratuar që në vitin 2024.

Në qytetin e vogël të Burrelit, xhiroja e pasdites nis dhe përfundon tek një shtatore e Ahmet Zogut, i cili më shumë se sa një trashëgimi politike për zonën, është një arsye për t’u mburrur se mbreti ka qenë djalë i Matit.

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, shtatorja e tij është e rrethuar me stivat e pllakave që presin të shtrohen në bulevard, ndërsa fushata nuk ka shenja të dukshme flamujsh apo posterash në rrugë, por diskutohet nga të gjithë nëpër kafene.

“Këto pllaka të reja që po shtrohen, sigurisht që për vota janë, por hallet tona nuk i zgjidhin ca pllaka mermeri,” tha një banore e Burrelit, e cila nuk pranoi të identifikohej nga frika se mund ta hiqnin nga puna si mësuese.

Sipas mësueses, zona përballej me një shpopullim të frikshëm, ku të gjithë donin të iknin për shkak të papunësisë dhe mungesës së zhvillimit.

“Kanë mbetur pallatet me nga një familje, nuk dëgjohet më zëri i fëmijëve që luajnë, klasat na tkurren çdo vit,” tha ajo me shqetësim.

Në zonën e Burrelit dhe Klosit, fushata nuk ofron alternativa të reja politike përveç dy partive tradicionale PD dhe PS, megjithëse të gjitha partitë e tjera kanë vendosur emrat e tyre në listë. Fushata për partitë e reja duket e pamundur në një terren të polarizuar politik dhe pa burime financiare.

Sonil Kola, një 27-vjeçar i diplomuar për Shkenca Politike, po provon megjithatë ta thyejë këtë polarizim, duke kandiduar për koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Sonilin e takuam në Burrel, pasi banorët e Frankthit thanë jo pa mburrje se në 11 maj kandidonte dhe një “djalë i fshatit”. Por Sonili thotë me buzëqeshje se është dyshues nëse do ta votojnë edhe bashkëfshatarët e tij.

“Njerëzit kanë frikë sepse u bëhet presion me vendin e punës,” tha ai për BIRN.

Kandidati e quan shtrimin e rrugës një projekt të vonuar, ndërsa mendon se asflati që po shtrohet në çdo fshat nuk do të ndikojë në votën e 11 majit.

“Njerëzit janë lodhur me të njëjtat metoda të vjetra të ofrimit të shërbimeve bazë në prag fushate, nuk gënjehen më,” përfundoi ai./BIRN/

 

Video

Një automjet ka rënë nga ura e Spatharit në Drin në aksin Shkodër-Vau i Dejës. Siç shihet edhe nga pamjet, mjeti ka shkatërruar barrierat anësorë të urës. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit dhe nëse ka persona të lënduar, ndërkohë që në vendngjarja kanë mbërritur forcat policore dhe ato zjarrfikëse.

IMT në Durrës prish disa shtëpi tek Ura e Dajlanit duke lënë në mes të rrugës dhjetra banorë, kryesisht të komunitetit rom dhe egjiptian. Sipas Bashkisë së Durrësit kanë bllokuar kanalizimet e ujërave të zeza. Por banorët thonë se kanalin e ka bllokuar një biznes privat që ka ndërtuar karburant. Sipas avokatit të familjeve Gentian Sejrani, ata janë lënë në mëshirë të fatit. Avokati tha se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore, pasi shembjet janë bërë në kundërshtim me ligjin. https://www.vna.al/kronika/imt-ne-durres-prish-disa-shtepi-tek-ura-e-dajlanit-le-ne-mes-te-rruges-d-i19390

Më 26 janar, një avion i British Airways që fluturonte nga Las Vegasi për në Londër (fluturimi BA274) humbi rrotën e pasme të djathtë të ingranazhit të uljes menjëherë pas ngritjes. Incidenti u filmua dhe u vu re nëpërmjet monitorimit të drejtpërdrejtë nga Flightradar24. Pamjet tregojnë aeroplanin duke u ngritur normalisht, ndërsa disa sekonda më vonë një objekt shkëputet dhe bie në tokë, është një nga rrotat e marshit të uljes. Sipas një deklarate nga Flightradar24, fluturimi BA274 i British Airways humbi rrotën e pasme të djathtë, nga ingranazhi kryesor i uljes së avionit Airbus A350-1000. Pavarësisht incidentit, ekuipazhi vazhdoi udhëtimin normalisht dhe avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin Heathrow në Londër, pa u raportuar për të lënduar.

Shumë shtete në Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një tjetër stuhi të ftohtë dimërore, vetëm disa ditë pasi një valë e mëparshme ka vrarë dhjetëra persona, ka lënë miliona amerikanë pa energji elektrike dhe ka ndërprerë udhëtimet ajrore. Një valë e re e të ftohtit pritet të godasë vendin gjatë fundjavës, duke sjellë temperatura rekord dhe stuhinë tjetër të madhe, ndërsa qytetarët përpiqen të rikuperohen nga dëmet e shkaktuara nga vala e parë. Sipas të dhënave të përpiluar nga AFP, të paktën 38 persona kanë humbur jetën si pasojë e ngjarjeve ekstreme të motit, aksidenteve ose hipotermisë. Mes viktimave janë edhe tre fëmijë, të moshës 6 deri në 9 vjeç, të cilët humbën jetën të hënën pasi ranë në një liqen të ngrirë në Teksas.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme