Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën sot në orën 17:00 në Sheshin Skënderbej, në një protestë solidariteti pas arrestimit të pjesëmarrësve në nismën ndërkombëtare Global Sumud Flotilla, e cila po udhëtonte drejt Gazës me 40 anije të mbushura me ndihma humanitare.
Protestuesit kërkuan armëpushim të menjëhershëm dhe fund të dhunës ndaj popullsisë palestineze, duke dënuar veprimet që i cilësuan si gjenocid dhe shpërfillje të të drejtave të njeriut.
Sipas organizatorëve, protesta u thirr për të treguar se nuk mund të qëndrohet në heshtje përballë krimeve që po ndodhin para syve të botës, ndërsa kritikuan qëndrimin e institucioneve shqiptare, të cilat – sipas tyre – “vijojnë të jenë palë me ushtruesit e krimeve të luftës”.
Aktivistët bënë thirrje për ndërgjegjësim qytetar dhe presion ndaj qeverive për të ndaluar mbështetjen ndaj dhunës dhe për të mbështetur përpjekjet për paqe dhe drejtësi në Lindjen e Mesme.






















