Foto-Lajm 2 Shtator 2025, 13:00 Nga VNA

“Letërsia mund të jetë një formë rezistence”/Lea Ypi flet me Elif Shafak për të shkruarit në epokën e demagogëve

Ndaje në Whatsapp
“Letërsia mund të jetë një formë

Autorja shqiptare e librit "Free" dhe shkrimtarja turke diskutojnë ngritjen e populizmit, censurën – dhe si konfliktet e sotme burojnë nga traumat e papërpunuara të së kaluarës.

Lea Ypi fitoi çmime ndërkombëtare me librin Free, një kujtim i jetës së saj në Shqipëri para dhe pas regjimit komunist. Libri i saj i ri, Indignity, rikonstrukton jetën e gjyshes së saj, e cila u shpërngul në Tiranë nga Selaniku si vajzë e re dhe u përfshi ngushtë në jetën politike të vendit. Ajo mban aktualisht katedrën "Ralph Miliband" në politikë dhe filozofi në London School of Economics.

Elif Shafak, shkrimtare turke, është autore e më shumë se 20 librave, përfshirë romanin 10 Minutes 38 Seconds in This Strange World (i përzgjedhur për çmimin Booker) dhe më së fundmi, There Are Rivers in the Sky.

Kur dy shkrimtaret biseduan përmes videos, Ypi ndodhej në Indi dhe Shafak në Londër. Temat prekën censurën, ngritjen e populizmit, sfidat e të qenit shkrimtar me identitete të shumëfishta, dhe rëndësinë e përfaqësimit të historive komplekse në letërsi. 

Elif Shafak (ES): Jemi në epokën e ankthit. Ka aq shumë pasiguri, si në Lindje, si në Perëndim, si te të rinjtë, ashtu edhe te të moshuarit. Mendoj se kjo është epoka e artë për demagogjinë populiste: kur del dikush dhe thotë, “Lëreni tek unë, do ua thjeshtoj jetën.”

Lea Ypi (LY): Ajo që më godet është kontrasti mes jetës së pasur në letërsi dhe akademi – plot eksperimentim, shumëllojshmëri, kompleksitet – dhe banalitetit të politikës. Në politikë, gjithçka bëhet e thjeshtuar, e përmbledhur, madje ekskluzive. Diskursi politik thotë: le t’i largojmë emigrantët, sikur drejtësia sociale mund të arrihet vetëm në një shoqëri homogjene.

ES: Duhet të flasim edhe për censurën, jo vetëm atë që vjen nga jashtë apo lart, por edhe për autocensurën. Unë vij nga një vend ku fjalët janë të rënda. Çdo gjë që shkruan – për seksualitetin, gjininë, kujtesën, historinë – mund të ofendojë autoritetet.

Për shembull, kur publikova The Bastard of Istanbul, që trajtonte gjenocidin armen, u përballa me gjyq dhe mund të dënohesha me tre vite burg. Madje fjalët e personazheve imagjinarë u përdorën si prova. Më kanë djegur fotografinë, më kanë quajtur tradhtare.

Më vonë, dy nga librat e mi u hetuan për “fyerje morale”: 10 Minutes 38 Seconds…, sepse përfshin një punëtore seksi, dhe The Gaze, sepse trajton abuzimin me fëmijë në një vend ku ende ka “nuse fëmijë”.

Por, për të shkruar, duhet të harrosh të gjitha këto. Nëse fillon të mendosh: "A do ofendohen?" – nuk mund të shkruash asnjë rresht.

LY: Rritja në Shqipëri dhe kalimi nga komunizmi në kapitalizëm më ka bërë shumë të ndjeshme ndaj propagandës. Nuk kishte një ndarje të qartë mes një bote të lirë dhe një bote të shtypur – censura dhe manipulimi ideologjik janë gjithmonë aty, edhe kur vijnë nga burime që duken të pafajshme.

Në Shqipëri kemi një shprehje: "Stambolli digjet dhe plaka krihet." Ndonjëherë ndihesh sikur ajo që bën është pa rëndësi. Por puna jonë është të kritikojmë, të mbajmë mend, dhe t’u kujtojmë të tjerëve se e kaluara formon të ardhmen. Konfliktet e sotme janë vetëm plagë të vjetra të pambyllura.

ES: Kemi shumë të përbashkëta – temat, gjeografitë, heshtjet që gërmojmë. Kujtesa për ne nuk është për t’u ngecur në të shkuarën, por për të mundësuar shërimin.

LY: Kur po shkruaja Indignity për gjyshen time, zbulova se ishte shumë e vështirë të gjeje burime për një grua që jetoi në vitet 1920–1930. Ajo u rrit në Selanik, në një mjedis akoma osman, por që sapo ishte bërë pjesë e shtetit grek. Arkivat ishin të filtruar sipas asaj që autoritetet donin të tregonin.

Historinë gjithmonë e shkruajnë të fuqishmit. Vetëm kur letërsia bëhet akt rezistence, ajo mund ta sfidojë këtë.

ES: Të jesh shkrimtar është pak si të jesh arkeolog gjuhësor – gërmon në shtresa tregimesh dhe harresash. Perandoria Osmane ishte shumëetnike dhe shumëgjuhëshe, por mënyra si mësohet në shkolla është e zbrazët: e mbushur me nacionalizëm dhe nostalgji perandorake. Askush nuk flet për gratë, për prostitutat, për konkubinat, për minoritetet si çifutët, kurdët, grekët, armenët. Aty nis heshtja.

LY: Letërsia ka funksion demokratik vetëm kur nuk predikon. Kur përpiqet të thotë “Kjo është e drejtë, kjo është e gabuar”, humbet fuqinë e saj. Libri nuk përfundon kur autori e shkruan – ai vazhdon të “shkruhet” përmes lexuesit, përmes debatit që ngjall në shoqëri.

Kur doli Free, më dërguan një foto ku presidenti Erdogan e mbante librin gjatë një samiti për paqen Armeni-Azerbajxhan. Ishte e pakëndshme – sepse unë e di si e kam shkruar dhe për çfarë flet. Por kjo është pjesë e “jetës së librit”.

Unë gjithashtu kam një marrëdhënie të dyfishtë me faktin që më etiketojnë si “shkrimtarja që shkruan për Shqipërinë, komunizmin, totalitarizmin”. Por për mua Shqipëria është një pikë nga e cila mund të rindërtosh botën: Durrësi ishte qytet romak, më parë helen, pastaj bizantin, venecian… Brenda 100 metrave katrorë ndodhen mijëra vite histori europiane.

Kur dëgjoj debatet për hyrjen në BE, mendoj: Kur kemi qenë ndonjëherë jashtë Europës?

ES: Të jesh shkrimtare turke, grua, është një përvojë e rëndë. Ka më shumë shtresa mizogjinie dhe patriarkie. Nuk dua të bëhem pesimiste, por është realiteti: të godasin në një faqe dhe të puthin në tjetrën – sepse lexuesit lexojnë, tregimet kanë rëndësi. Veçanërisht në vende ku demokracia po venitet, letërsia dhe arti bëhen edhe më të rëndësishme.

LY: Nuk e di nëse është shenjë depresive e kohës që debati kulturor është kaq i pasur, ndërsa politika shkon në drejtim të kundërt – thjeshtësim, përjashtim. Si ka mundësi që nuk po gjejmë një urë mes të dyjave?

ES: Unë nuk e harroj kurrë që jam emigrante në Britani, por gjithashtu besoj fort në përkatësi të shumëfishta. Jam turke, por Anglia më ka dhënë shumë. Anglishtja më ka dhënë një ndjesi “shtëpie” – e përdor për më shumë se 20 vjet. Nuk mund ta mohoj. Dua të mendoj veten si qytetare e botës, gjë që populistët përçmojnë – na thonë se “nëse je qytetar i botës, nuk je qytetar askund”. Dua ta sfidoj këtë. Është gabim.

Jemi në një epokë tepër të ndërlikuar dhe të ndërlidhur: nga krizat klimatike, te pandemitë dhe pabarazitë, jemi të gjithë të lidhur.

The Guardian/ Intervistë nga Alex Clark

Indignity: A Life Reimagined nga Lea Ypi publikohet më 4 Shtator nga Allen Lane. There Are Rivers in the Sky nga Elif Shafak është publikuar nga Viking.

 

 

Video

Përplasje shpërthyese dhe akuza të forta brenda Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Audioja më poshtë, e siguruar nga mbledhja e zhvilluar më 30 prill, zbulon tensione të pazakonta mes anëtarëve të KLP-së, ku debatet degraduan në tone të ashpra dhe përplasje të drejtpërdrejta. Në qendër të konfliktit ishte kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, dhe anëtari Sokol Stojani, të cilët u përplasën fort për vendimin e marrë më 2 prill lidhur me hapjen e vendeve vakante në institucion. Bogdani kërkoi rikthimin e çështjes për rishqyrtim, ndërsa Stojani e kundërshtoi ashpër këtë lëvizje, duke ndezur një debat që përfshiu më pas edhe anëtarë të tjerë të Këshillit.

Panik dhe alarm në aeroportin “Eleftherios Venizelos” në Athinë, pasi një avion Airbus A321 i kompanisë Lufthansa me 177 pasagjerë dhe 7 persona të ekuipazhit u detyrua të kryente ulje emergjente për shkak të një problemi teknik. Sipas mediave greke, problemi teknik u konstatua gjatë fluturimit, ndërsa rreth orës 18:35 piloti kërkoi kthim emergjent në aeroportin “Eleftherios Venizelos”. Ulja u realizua pa probleme, megjithatë menjëherë pas ndalimit të avionit u aktivizuan procedurat e evakuimit emergjent. Stjuardesat hapën dyert e avionit, aktivizuan rrëshqitëset fryrëse të emergjencës dhe u kërkuan pasagjerëve të largoheshin sa më shpejt nga kabina siç pasqyrohet edhe në një video që po bën xhirron e mediave greke. Sipas autoriteteve greke, si ekuipazhi ashtu edhe të gjithë pasagjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë evakuimit pati dy lëndime të lehta.

Një video e jashtëzakonshme e publikuar nga NASA tregon momentet kur astronautët e misionit Artemis II eksperimentojnë me një pikë uji brenda kapsulës Orion, duke shfrytëzuar kushtet e mikrogravitetit gjatë udhëtimit historik rreth Hënës. Në videon e publikuar, një pikë uji shihet duke formuar një sferë pothuajse perfekte që noton lirshëm në kabinë. Astronauti Jeremy Hansen, për herë të parë në hapësirë, shihet duke vëzhguar sferën transparente, ku reflektimi i tij shfaqet i përmbysur për shkak të thyerjes së dritës. Më pas ai e manipulon me kujdes sferën e ujit përmes një kashte, duke e lënë sërish të notojë në mikrogravitet. NASA shpjegon se ky fenomen ndodh për shkak të mungesës së gravitetit, ku forcat e tensionit sipërfaqësor bëjnë që uji të marrë formën më të qëndrueshme, atë të një sfere.

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Gaziantep, ku një 31-vjeçar dhe një grua morën peng një shofer taksie nën kërcënimin e armës dhe tentuan të arratiseshin nga policia. Gjatë ndjekjes, autori hapi zjarr ndaj policisë nga brenda taksisë, ndërsa shoferi 58-vjeçar shfrytëzoi momentin për t’i marrë armën dhe për ta çarmatosur. Menjëherë më pas, policia ndërhyri dhe arrestoi dy autorët. Shoferi mbeti i plagosur lehtë në gisht, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme