Vendimi i Ilirjan Celibashit për t’i dhënë “Revolucionit të Flamingove” formularët për mbledhjen e firmave për referendum ka nxjerrë në pah një nga paradokset më të mëdha të legjislacionit shqiptar. Qytetarët kërkojnë të rrëzojnë me votë ligjin për zonat e mbrojtura, por nëse arrijnë deri te referendumi, procesi do të administrohet sipas një sistemi zgjedhor ku partitë politike caktojnë komisionerët.
Dhe kjo nuk është e vetmja çudi.
Shqipëria nuk ka miratuar ende ligjin e ri për referendumet. Për këtë arsye, referendumi që kërkojnë “Flamingot” mbështetet te Pjesa e Nëntë e Kodit Zgjedhor të vitit 2003.
Këtu fillon paradoksi juridik.
Kodi Zgjedhor aktual, në nenin 185, thotë shprehimisht se ligji nr. 9087, datë 19.6.2003, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohet.
Por menjëherë më pas, në pikën 2, ligjvënësi pasi ka shfuqizuar gjithë ligjin, ka bërë një përjashtim. Megjithëse Kodi i vitit 2003 shfuqizohet, Pjesa e Nëntë e tij, ajo për referendumet, “mbetet në fuqi deri në miratimin e ligjit të ri për referendumet e përgjithshme dhe vendore”.
Por, juridikisht nuk mund të thuhet qe dispozitat për referendumet janë ende në fuqi. Ligjvënësi nuk i shpëton dot ato nga shfuqizimi pasi ka shfuqizuar ligjin ku ato bëjnë pjesë.
Por pikërisht këtu qëndron absurdi.
Një Kod është shfuqizuar, ndërsa një pjesë e tij vazhdoka të jetojë prej vitesh (nuk kuptohet dot se si, kur ligji ku bën pjesë është shfuqizuar). Nga ana tjetër Parlamenti nuk ka bërë atë që vetë me ligj e parashikonte: miratimin e një ligji të ri për referendumet.
Dhe çështja bëhet edhe më interesante në fjalinë e fundit të nenit 185: “Administrimi i procesit të referendumeve dhe nxjerrja e rezultatit të tyre bëhen në përputhje me këtë Kod.”
Pra, për rregullat e referendumit shkohet tek pjesa e mbijetuar e Kodit të vjetër (nuk kuptohet dot se si, kur ligji tek i cili bën pjesë është shfuqizuar), për administrimin e tij kthehemi te Kodi aktual.
Dhe kush e administron votimin sipas Kodit aktual?
Administrata zgjedhore shqiptare vazhdon të ndërtohet e gjitha mbi propozimet e partive politike. PS dhe PD, si partitë kryesore të shumicës dhe opozitës, kanë rol kryesor në propozimin e anëtarëve të komisioneve zgjedhore. Edhe partitë e tjera parlamentare marrin pjesën që u takon sipas formulës së Kodit.
Kështu mund të krijohet një situatë paradoksale: “Flamingot” mbledhin firmat e qytetarëve për të rrëzuar një ligj të miratuar nga politika, ndërsa, nëse referendumi zhvillohet, njerëzit e propozuar nga partitë do të jenë në komisionet që administrojnë votimin.
Kjo nuk do të thotë se PS dhe PD mund të vendosin rezultatin. Por do të thotë se një instrument që në thelb ekziston për t’u dhënë qytetarëve mundësinë të vendosin drejtpërdrejt, pa ndërmjetësimin e politikës, përfundon i administruar nga një sistem i ngritur pikërisht mbi përfaqësimin partiak.
Dhe ky është problemi tjetër real që rasti i “Flamingove” nxjerr në dritë.
Pertej debatit nëse Celibashi kishte apo jo të drejtë t’u jepte formularët, sa kohë që as juridike për këtë nuk ekziston.
Për teoricienet qe do 5e thoshin që kjo baze juridik ekziston ateher kjo do të thotë që një kapitull i nje ligji mund te rrika në fuqi, pa një numër ligji si referencë. Po si rri dot në ajër një pjesë ligji, pasi ligji ku ben pjesë është shfuqizuar?
Ose ne sot paskemi ende në fuqi Kodin Zgjedhor të vitit 2003, dhe Kodin zgjedhor te vitit 2008. Pra dy ligje me të njëjtin titull “Kodi Zgjedhor”.
Pyetja primcipale është se si Shqipëria ka mbërritur në vitin 2026 pa një ligj të ri për referendumet, duke bërë sikur mban artificialisht “në jetë” një pjesë të një Kodi të vitit 2003 dhe duke ia besuar administrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë të njëjtit mekanizëm partiak që administron zgjedhjet.
“Flamingot” mund t’i mbledhin firmat. Mund të arrijnë edhe te referendumi.
Por nëse mbërrijnë te kutia e votimit, aty do t’i presë përsëri politika.






















