Partia Demokratike do të ngrejë një agjenci të posaçme për konfiskimin e pasurive të krijuara nga aktiviteti i paligjshëm dhe të përdorura për pastrimin e parave. Këtë e deklaroi kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, duke paralajmëruar një politikë të “zero tolerancës” ndaj krimit të organizuar.
Sipas Berishës, agjencia do të merret me të gjitha pronat që dyshohet se janë krijuar me para të ardhura nga aktiviteti kriminal.
“Agjenci kombëtare e posaçme, të gjitha objektet e ndërtuara me larje parash konfiskohen. Vetëm goditja me zero tolerancë e krimit të organizuar është përgjigja më e mirë për garantimin e jetës së turistëve dhe shqiptarëve në Shqipëri. Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar”, tha Berisha.
Kreu i PD-së komentoi gjithashtu ardhjen e ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, për të cilin u shpreh pozitivisht, ndërsa foli edhe për mundësinë e një vizite të tij në Shtetet e Bashkuara.
“Me ato që unë kam lexuar, kam mendim shumë pozitiv. Një njeri me një eksperiencë të gjerë, pra mendimi im është tërësisht pozitiv. Natyrisht, siç kam thënë unë do të shkoj në SHBA më së shumti me rastin e ndonjë konference dhe do u njoftoj”, deklaroi ai.
Berisha u ndal edhe te nisma e kryeministrit Edi Rama për krijimin e një shteti sovran të Urdhrit Bektashi, duke përsëritur kundërshtimin e Partisë Demokratike ndaj projektit.
Sipas tij, nisma bie ndesh me karakterin laik të shtetit shqiptar dhe rrezikon të cenojë harmoninë fetare. Por Berisha shkoi edhe më tej, duke pretenduar se pas projektit qëndron synimi për krijimin e mekanizmave që do të mundësonin pastrimin e parave.
“Vjen në kundërshtim të hapur me karakterin laik të shtetit shqiptar që nga themelimi i tij gjer sot, përpiqet të nxisë përçarje fetare në një vend ku toleranca dhe bashkëpunimi fetar është gjëja më madhështore në shpirtin e atij populli.
Kërkon të krijojë edhe monedhën Ed, sepse duhet tani që Ramaduro të lajë miliardat me një bankë të veçantë, të të ashtuquajturit shtetit sovran apo Vatikanit të dytë. Pra, bëhet fjalë strikt për një operacion me të cilin Edi Rama do të ketë një shtet për paratë dhe pasaportat diplomatike. PD ka qenë dhe është e prerë ndaj kësaj nisme antikushtetuese, antishqiptare, antikombëtare, e të tjera me radhë”, tha Berisha.





















