
Një histori gati e pabesueshme është zbuluar nga një hetim i prokurorisë së Fierit. Një përkthyese me inicialet A.K ishte në lidhje intime me shtetasin F.H. Ky i fundit ndërkohë ishte i martuar ligjërisht. Përkthyesja mbetet shtatzënë dhe vendos që ta divorcojë të dashurin e saj. Për këtë arsye, ajo falsifikon një vendim të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dje një vendim të një gjykate greke, që më pas të lidhej në martesë me të.
Hetimi nisi në 2025 pasi Zyra e Gjendjes Civile, Bashkia Fier dërgoi më anë të shërbimit postar dy vendimet; një vendim gjyqësor i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i datës 12.02.2025 me kërkues F.H dhe objekt njohje dhe dhënien fuqi ligjore për zbatim në R.Sh të vendimit të Gjykatës në Greqi. Vendim i cili pas kryerjes së veprimeve hetimore rezultoi i falsifikuar”.
Nga hetimet rezultoi se dokumentat e dërguara me anë të shërbimit postar, ishin dërguar nga shtetaset A.K., dhe A.M., kjo e fundit me avokate, të cilat jo vetëm janë paraqitur disa herë në Zyrën e Gjendjes Civile për tu interesuar, por A.M., ka bërë përpjekje që me autoritetin e saj si njohëse e ligjeve të ndikojë në regjistrimin e tyre pranë gjendjes civile.
“E pandehura A.K., në bashkëpunim me avokaten A.M., ka falsifikuar dhe përdorur të dy vendimet, si atë të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ashtu edhe të gjykatës greke, në mënyrë që të realizohej shkurorëzimi i shtetasit F.H., nëpërmjet një vendimi të falsifikuar të një gjykate të huaj, duke sajuar edhe njohjen e atij vendimi në gjykatën shqiptare, me anë të vendimit të falsifikuar të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Kjo në mënyrë që më pas përkthyesja të lidhte martesën ligjore me shtetasin F.H me të cilin ishte dhe në një lidhje intime”, thekson prokuroria.
Përkthyesja dhe avokatja janë marrë të pandehura për falsifikim dokumentash dhe janë dërguar për gjykim. Burimet thonë se përkthyesja e ka pranuar akuzën, ndërsa avokatja refuzon të jetë e përfshirë në këtë cështje. Ndërkohë burri që është dhe protagonisti kryesor, rezulton se nuk kishte asnjë dijeni për këtë cështje.






















