Ka disa shifra që meritojnë analizë juridike. Ka disa të tjera që meritojnë analizë statistikore. Dhe pastaj ekziston shifra e Artur Metanit, e cila duket se meriton analizë logjike.
Në raportin vjetor të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025, një shifër del mbi të gjitha: 8 procedime disiplinore.
Po, vetëm 8.
Tetë procedime për 3 gjyqtarë dhe 5 prokurorë në një sistem drejtësie që prej vitesh jeton mes stokut të dosjeve, afateve të tejkaluara, ankesave publike, vendimeve absurde dhe një niveli pakënaqësie që nuk ka nevojë për sondazhe për t’u kuptuar.
Por sipas raportit, impakti disiplinor i Metanit mbi sistemin është pikërisht ky: 8.
Vetëm 8 magjistratë kanë ndjerë dorën e ftohtë të ILD-së mbi shpatulla. Tetë njerëz që mesa duket kanë prishur harmoninë pothuaj perfekte të sistemit.
Dhe këtu hyn pjesa më poetike e raportit.
Sepse në të njëjtin dokument figuron edhe një tjetër shifër: 1600 ankesa të qytetarëve.
Një njeri normal mund të mendojë se kjo tregon rritje të pakënaqësisë ndaj drejtësisë. Se njerëzit po ankohen sepse kanë halle, sepse presin vite për një vendim, sepse ndihen të dëmtuar apo të pambrojtur.
Por jo.
Sipas logjikës së raportit, kjo shifër dëshmon rritjen e besimit të qytetarëve te ILD-ja.
Pra shqiptarët nuk ankohen sepse janë të dëshpëruar. Ankohen nga dashuria. Nga besimi. Nga nevoja për t’u shfryrë.
Pak a shumë si dikush që ulet në lokalin poshtë pallatit dhe i tregon hallet shokut të tavolinës. Vetëm se në këtë rast shoku i tavolinës quhet Artur Metani dhe halli protokollohet.
Në një moment tjetër të raportit, ILD pranon se ka konstatuar vonesa në arsyetimin e vendimeve “që tejkalojnë çdo afat logjik”.
Një formulim brilant.
Sepse nuk thuhet që tejkalohet ligji. Thuhet logjika. Pra sistemi ka kaluar tashmë në një nivel ku nuk po sfidohen vetëm afatet procedurale, por vetë arsyetimi njerëzor.
Por edhe këtu raporti mbetet elegant. Nuk merret me pasojat që këto vonesa kanë te qytetarët. Nuk merret me jetët e njerëzve që presin drejtësi. Nuk analizon kush janë, çfarë humbin apo sa vite u konsumohen në korridore gjykatash.
Shqetësimi kryesor duket se është imazhi i drejtësisë.
Sepse imazhi është i rëndësishëm.
Ndërkohë lind pyetja më e thjeshtë logjike: nëse ILD pranon se ekzistojnë raste që “tejkalojnë çdo afat logjik”, atëherë sa procedime disiplinore janë nisur për këto raste?
A janë këto pjesë e famshme e numrit 8?
Apo duhet të besojmë se në gjithë sistemin shqiptar vetëm 8 magjistratë paskan tejkaluar logjikën?
Dhe nëse vonesat tejkalojnë logjikën, por procedimet mbeten vetëm 8, atëherë problemi nuk është më te afatet.
Problemi fillon te matematika.






















