Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me të shkuarën kriminale të Igli Kamberit, i cili konsiderohet nga autoritetet si kreu i grupit kriminal shqiptaro-italian të goditur gjatë operacionit të përbashkët të Antimafias italiane dhe SPAK.
Kamberi rezulton i njohur për drejtësinë italiane edhe më herët. Më 8 gusht 2015, ai u arrestua bashkë me shtetasin shqiptar Artan Belliu, nën akuzën se ishin pjesë e një plani për eliminimin e Pasquale Ventura-s, kryekëshilltar i Partisë Demokratike në komunën e Barletës. Atentati kishte ndodhur më 20 janar 2015, kur Ventura u qëllua disa herë me armë zjarri, por arriti t’i mbijetojë sulmit.
Sipas hetimeve italiane të asaj kohe, porositëse e atentatit ishte ish-bashkëshortja e Venturës, 40-vjeçarja Concetta Dimatteo di Barletta, e arrestuar më pas nga autoritetet. Mediat italiane raportuan se ajo kishte paguar nga 20 deri në 30 mijë euro ndërmjetësin shqiptar Artan Belliu për eliminimin e ish-bashkëshortit, me të cilin kishte konflikte të forta ekonomike dhe personale pas ndarjes.
Emri i Igli Kamberit rikthehet sërish në qendër të hetimeve pas operacionit të fundit të zhvilluar nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit, në bashkëpunim me policinë e Andrias, SPAK dhe Eurojust. Hetimi lidhet me vrasjen e Francesco Diviestit, parukierit 26-vjeçar nga Barleta, i cili u zhduk më 25 prill 2025 dhe u gjet i vdekur, pjesërisht i djegur, në zonën rurale të Canosa di Puglia.
Praktikisht e vranë për çështje nderi pasi pati mungesë respekti ndaj kreut të grupit, Ilir Kamberi. Kjo ishte një mënyrë, sipas prokurorëve italianë, jo vetëm për të treguar forcë brenda grupit, por edhe për t’iu dhënë mesazh kundërshtarëve.
Sipas autoriteteve, grupi kriminal me bazë në Tiranë dyshohet se merrej me pastrim ndërkombëtar parash, duke transferuar shuma të mëdha cash nga Italia drejt Shqipërisë. Në kuadër të hetimeve, më herët në Muriqan u sekuestruan rreth 700 mijë euro të dyshuara si para me origjinë kriminale.
SPAK dyshon se Ergys Kastrati, i njohur me nofkën “Bishja”, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, kishte rol kyç në pastrimin e parave të pista. Ai u arrestua gjatë operacionit në një vilë në zonë rezidenciale, ndërsa prej dy vitesh rezultonte në kërkim policor.
Ndërkohë, sipas hetuesve, Igli Kamberi vepronte nga Italia dhe konsiderohet drejtuesi i grupit kriminal. Emri i tij po hetohet jo vetëm për lidhje me vrasjen e Francesco Diviestit, por edhe për trafik droge dhe ngjarje të tjera kriminale.






















