Industria europiane po jep një alarm të fortë për konkurrencën me Kinën.
Sipas shoqatës industriale Eurometal, sektori prodhues i Bashkimit Europian rrezikon të humbasë rreth 300 mijë vende pune vetëm gjatë vitit 2026, ndërsa kompanitë kineze po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në zinxhirët europianë të furnizimit.
Presidenti i Eurometal, Alexander Julius, akuzoi Kinën se po përfiton nga kosto më të ulëta, mungesa e tarifave të karbonit dhe një monedhë të nënvlerësuar për të shitur produkte në Europë me çmime që kompanitë vendase e kanë të vështirë t’i konkurrojnë.
Organizata paralajmëron se problemi nuk kufizohet vetëm te çeliku. Metale, produkte kimike dhe komponentë të tjerë kinezë përdoren në pjesën dërrmuese të industrisë prodhuese europiane.
Eurometal planifikon një protestë në Bruksel ku do të përdorë arkivole simbolike për të përfaqësuar vendet e punës dhe kompanitë që rrezikojnë të zhduken.
Deficiti tregtar vjetor i BE-së me Kinën ka arritur rreth 360 miliardë euro.
Industria paralajmëron se, nëse përfshihen edhe kostot e larta të energjisë dhe konkurrenca globale, në afat më të gjatë mund të rrezikohen më shumë se 1 milion vende pune në Europë.





















