
Ka pesë vjet që leku po i bën "bllok" valutave të huaja dhe po forcohet çdo muaj e më shumë. Sot, një euro ka rënë në 93 lekë dhe dollari në 82 lekë. I thirrur në komisionin për Nismat Qytetare, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dha shpjegimet e tij se pse po ndodh kjo gjë.
“Sipas analizave tona, ky trend është mbështetur nga rritja e të ardhurave nga turizmi, remitancat, investimet e huaja direkte, të ardhurat nga puna dhe përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë. Në ekonomi ka hyrë më shumë valutë dhe besimi ndaj Lekut është rritur”, tha Sejko.
Në këtë listë të gjatë arsyesh që rreshtoi Guvernatori, nuk u përmend asnjë fjalë për paratë e pista që po futen lumë në ekonomi përmes ndërtimit. Ligji ia thotë qartë, “Banka e Shqipërisë ka tagrin e plotë për të mbikëqyrur subjektet që licencon dhe për të vlerësuar nëse ato po i zbatojnë aktet ligjore mbi parandalimin e pastrimit të parave”.
Pavarësisht këtij detyrimi, Sejko nuk përmendi shqetësimet që kanë dalë nga hetimet e fundit të SPAK-ut e pagëzuar si “Aruba”, ku tregohet e zeza mbi të bardhë se si miliona euro të drogës pastrohen fare hapur në vendin tonë.
Sipas hetimeve, paratë me origjinë të paligjshme jo gjithmonë kalojnë drejtpërdrejt në sistemin bankar. Me to blihet tokë, ndërtohet pallati apo vila, dhe në fund këto prona shiten te njerëz të thjeshtë. Kur paratë e shitjes futen më pas në sistemin bankar, ato duken si fitime krejt të pastra nga tregu imobiliar, duke sfiduar hapur pikërisht ato rregulla dhe akte rregullative që Banka e Shqipërisë ka për detyrë t’i monitorojë hap pas hapi.
Pyetja që shtrohet natyrshëm pas zbulimeve të SPAK është: a ka bërë vërtet diçka Banka e Shqipërisë për të ushtruar këtë tagër mbikëqyrjeje që i takon me ligj? Të gjitha këto miliona që qarkullojnë në ndërtim nuk paskan rënë fare në veshin e institucionit që duhet të garantojë pastërtinë e sistemit financiar?






















