Prindërit e njërës prej vajzave 15-vjeçare të përfshira në ngjarjen e rëndë të dhunimit të një 17-vjeçareje në Fier kanë reaguar publikisht, duke deklaruar se ngjarjen e mësuan fillimisht përmes mediave dhe më pas u shoqëruan në polici për të dhënë dëshminë e tyre.
Sipas raportimit të A2 CNN, nëna e 15-vjeçares, mes lotësh, i kërkoi falje publike 17-vjeçares së dhunuar dhe familjes së saj, duke shprehur keqardhje të thellë për atë që ka ndodhur.
Prindërit thanë se vajza e tyre është diagnostikuar tre muaj më parë me probleme të shëndetit mendor dhe se prej kohësh kanë kërkuar ndihmë nga institucionet për trajtimin e saj. Sipas tyre, ajo kishte shfaqur edhe më herët episode agresiviteti, por kërkesat për mbështetje nuk kanë marrë përgjigjen e duhur.
Ata shtuan se, për shkak të pamundësive ekonomike, nuk kanë arritur të sigurojnë trajtim të specializuar dhe i kanë bërë thirrje institucioneve shtetërore të ndërhyjnë për t’i garantuar vajzës kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe psikologjik.
Prindërit theksuan se nuk kërkojnë të justifikojnë veprimet e së bijës, por kërkojnë që, krahas përgjegjësisë ligjore për ngjarjen, të merret në konsideratë edhe gjendja e saj shëndetësore. Sipas A2 CNN, familja shpreson që vajza të marrë trajtimin e nevojshëm për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.






















