Qytetarët u mblodhën këtë të martë për të 38-ën ditë radhazi në protestë në Tiranë, duke kërkuar largimin e Edi Ramës dhe Sali Berishës nga skena politike. Si çdo mbrëmje, protestuesit u grumbulluan fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime.
Nga foltorja, protestuesja Luçiana Kokaj u bëri thirrje pjesëmarrësve të ruajnë unitetin dhe të mos ndikohen nga përgojimet apo sulmet ndaj individëve të ndryshëm. “Kam një mesazh për ata që mbështesin protestën, të qëndrojmë të bashkuar përtej ndasive të vogla që mund të kemi. Secili mund të ketë ndonjë defekt, ndaj ju bëj thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar dhe të vijojmë protestën. Mos përgojoni njerëz pa ditur të vërtetën”, u shpreh Kokaj.






















