Politika 27 May 2025, 10:22 Nga VNA

“Është koha për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore” Silvio Gonzato nga Korça apel partive të punojnë për integrimin në BE

Ndaje në Whatsapp
“Është koha për një reformë

 

Korçë – Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka komentuar sot nga Korça procesin zgjedhor të 11 majit, duke nënvizuar nevojën urgjente për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe angazhimin real të forcave politike për rrugëtimin europian të vendit.

Gjatë një deklarate për mediat, Gonzato u ndal fillimisht te raporti i OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e fundit. Edhe pse rekomandimet përfundimtare ende nuk janë publikuar, ai tha se ka parë ato paraprake dhe rikujtoi deklaratën e qartë të Brukselit mbi këtë çështje. “Është një element që dua ta theksoj fort – ashtu siç e ka bërë dhe përfaqësuesja e lartë Kalas – se tashmë ka ardhur koha që qeveria shqiptare, por edhe Parlamenti, të miratojnë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, e cila të përfshijë të gjitha rekomandimet, si ato të mëparshme ashtu edhe ato të tanishme nga OSBE/ODIHR,” u shpreh Gonzato.

Ai theksoi se përgjegjësia për këtë reformë bie mbi qeverinë, e cila, siç u shpreh ai, “i ka numrat për ta bërë realitet”. Megjithatë, Gonzato theksoi se nuk është vetëm çështje institucionesh, por edhe pritshmërie publike. “Shqiptarët presin një proces zgjedhor të besueshëm dhe demokratik, sidomos tani që vendi është në një rrugëtim të rëndësishëm drejt Bashkimit Europian,” shtoi ai.

I pyetur mbi standardet e zgjedhjeve, ambasadori i BE-së tha se raporti i OSBE/ODIHR pasqyron realitetin e procesit. Ai përmendi se raporti ka vlerësuar administrimin e zgjedhjeve, por njëkohësisht ka adresuar edhe çështje problematike si përdorimi i burimeve publike gjatë fushatës. Gonzato theksoi se këto problematika duhet të trajtohen përmes një reforme të plotë në të ardhmen.

Në mënyrë të veçantë, ai vlerësoi punën e bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si dhe nga institucionet e drejtësisë, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK-un, të cilat i cilësoi si pjesë e një “bashkëpunimi ekzemplar”.

Në lidhje me qëndrimet e opozitës, e cila ka shpallur mosnjohjen e zgjedhjeve në disa qarqe dhe ka nisur ankesa institucionale, Gonzato u shpreh se çdo parti që pretendon parregullsi duhet t’i ndjekë rrugët ligjore dhe të ankohet pranë institucioneve përkatëse. “Kjo është mënyra se si duhet të funksionojë një demokraci. Ka kanale për të shprehur pakënaqësitë, dhe është thelbësore që ato të respektohen,” tha ai.

Në fund, Gonzato shprehu shpresën që të gjitha partitë politike në Shqipëri do të mbajnë angazhimin e tyre ndaj procesit të integrimit europian dhe do të punojnë realisht për ta bërë atë të prekshëm. “Ky është një moment kyç për Shqipërinë, dhe është detyrë e klasës politike që të udhëheqë vendin me përgjegjësi drejt së ardhmes europiane,” përfundoi ai.

Video

Ish-drejtuesit e KESH dhe ARRSH, Erlad Elezi dhe Gentian Gjyli, janë paraqitur në SPAK për t'u marrë në pyetje nga BKH-ja. Marrja e tyre në pyetje u zhvillua në kuadër të hetimeve për dosjen ku përfshihet edhe ish-ministrja Belinda Balluku. Elezi akuzohet për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë, ndaj të cilit vlen masa "detyrim paraqitjeje". Nga ana tjetër, edhe ish-drejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli, përballet me akuza për shkelje të barazisë në tenderë. Të dy ish-zyrtarët po hetohen nga Prokuroria e Posaçme për procedurat e prokurimit publik.

Qytetarët që kanë ndërtuar pa leje dhe janë evidentuar nga pushteti vendor rrezikojnë konfiskimin e pronës nëse nuk e vetëdeklarojnë brenda afatit të përcaktuar. Projektligji solli debate në Komisionin Parlamentar për Mjetet e Informimit Publik, ku kryetarja Jorida Tabaku kërkoi shpjegime se si do të administrohen pronat e konfiskuara dhe të ardhurat që do të sigurohen prej tyre.

Teksa nesër pritet të votohet në Kuvend reforma e re territoriale, PS rrezikon të mos i ketë të sigurta të gjitha votat e saj. Deputeti socialist Erion Braçe nuk tërhiqet nga qëndrimi kundër draftit dhe e bën të qartë se vota e tij nuk është objekt negociatash. Qëndrimi i Braçes shton pikëpyetjet mbi votat që socialistët do të kenë në dispozicion për miratimin e reformës.

“Armët” e PD-së për të luftuar pushtetin e Edi Ramës, çfarë po përgatitet në oborrin e selisë blu?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme