
Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dorëzoi për gjykim dosjen penale ndaj Elvis Shkambit dhe xhaxhait të tij, Gjon Shkambi, të cilët akuzohen për vrasjen e gjyqtarit të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit.
Ndaj Elvis Shkambit janë ngritur akuzat “Vrasje e funksionarëve publikë” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër palëve ndërgjyqëse, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese”.
Xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, akuzohet për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”. Ndërsa punonjësi i sigurisë në gjykatë, B.K., është marrë i pandehur për shpërdorim detyre.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 6 tetorit në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari Kalaja u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit, pasi shpalli një vendim.
“Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, përfshirë këqyrjen e vendit të ngjarjes, administrimin dhe këqyrjen paraprake të pamjeve filmike, rezultoi se gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore me objekt "Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore", me palë paditëse R.K., ku palë të treta ishin edhe shtetasit Gjon Shkambi dhe nipi i tij Elvis Shkambi.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari, i pandehuri Elvis Shkambi nxori nga brezi një armë zjarri, pistoletë, dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit. Më pas, ai ia ka drejtuar pistoletën shtetasve R.K. dhe E.K., të cilët kanë tentuar të largohen nga salla, duke shkaktuar plagosjen e shtetasit E.K. në dorën e djathtë dhe dëmtimin e shtetasit R.K. në trup”, thuhet në vendim.
Pas krimit, Elvis Shkambi i ka dorëzuar armën e zjarrit punonjësit të sigurisë së Gjykatës dhe ka dalë në oborrin e Gjykatës, ku dhe u arrestua.
“Në përfundim të hetimeve dhe nga provat e administruara rezultoi se i pandehuri Elvis Shkambi e kreu veprën penale në bashkëpunim me të pandehurin Gjon Shkambi dhe këta shtetas kanë konsumuar të gjitha veprat penale për të cilat akuzohen. Shtetasi Elvis Shkambi deklaroi se armën e ka pasur edhe në seanca të tjera dhe se xhaxhai i tij e dinte këtë fakt. Nga provat rezulton se ndërmjet tyre dhe familjes së shtetasit E.K. ka pasur një konflikt të vazhdueshëm pronësie”, thekson prokuroria.
Më tej, në dosje sqarohet edhe fakti se punonjësi i sigurisë së gjykatës nuk ka përmbushur detyrën, duke mos kontrolluar palët që hyjnë në sallën e gjyqit. “Nga hetimet rezultoi se të dy shtetasit Elvis dhe Gjon Shkambi kanë hyrë në gjykatë pa u kontrolluar dhe njëri prej tyre kishte armë, të cilën e përdori brenda sallës, ku për pasojë gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën dhe dy persona të tjerë u plagosën. Në këtë rast kemi cenim konkret, të drejtpërdrejtë dhe jashtëzakonisht të rëndë të interesit juridik që rregullat e sigurisë synonin të mbronin”, theksohet më tej.
Shtetasi B.K. qëndron i ulur dhe nuk kryen asnjë veprim për kontrollin fizik. Po në të njëjtin moment, ai nuk kryen regjistrimin e tyre në librin e hyrje-daljeve dhe kjo provohet edhe nga këqyrja e regjistrit”.






















