
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar se kush do t’i ushtrojë kompetencat presidenciale nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë kreun e ri të shtetit brenda afatit kushtetues.
Sipas Zyrës së Presidentes, kërkesa është dorëzuar më 5 tetor dhe synon të përcaktojë mënyrën se si do të ushtrohen kompetencat e domosdoshme të Presidentit pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore të ushtrimit të detyrës.
Çështja merr rëndësi të veçantë pasi 6 tetori është afati i fundit i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nëse Kuvendi dështon të përfundojë procedurën brenda këtij afati, ai shpërndahet dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare brenda 45 ditësh.
Por pikërisht këtu lind paqartësia kushtetuese: kush do t’i shpallë zgjedhjet dhe kush do t’i ushtrojë ndërkohë kompetencat e kreut të shtetit?
Kushtetuta ia njeh Presidentit kompetencën për shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa parashikon gjithashtu se posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj.
Për këtë arsye, Presidenca kërkon nga Gjykata Kushtetuese të përcaktojë autoritetin që mund të ushtrojë kompetencat presidenciale në situatën e krijuar.
Sipas Zyrës së Presidentes, duhet të gjendet një zgjidhje kushtetuese që garanton funksionimin e institucionit të Presidentit dhe mundëson shpalljen e mbajtjen e zgjedhjeve brenda afateve të përcaktuara.






















